> ## Content Index
> Fetch the complete content index at: https://everteta.net/llms.txt
> Use this file to discover other available public pages before exploring further.

# A e goditi vërtet Irani një aeroplanmbajtëse amerikane?
- URL: https://everteta.net/a-e-goditi-vertet-irani-nje-aeroplanmbajtese-amerikane/
- Published: 2026-09-26T15:04:04.000Z
- Updated: 2026-09-26T15:04:04.000Z
- Description: Pentagoni shtoi në heshtje 37 marinarë dhe marines në listën e të plagosurve të luftës me Iranin, pa thënë kur dhe si u plagosën. Në rrjetet sociale, kjo shifër po lidhet me një aeroplanmbajtëse amerikane që Irani thotë se e dëmtoi. Sulmi është i dokumentuar. Këtu janë faktet.
- Author: Dorand Vojka
- Tags: Lindja e Mesme

**Pentagoni shtoi në heshtje 37 marinarë dhe marines në listën e të plagosurve të luftës me Iranin, pa thënë kur dhe si u plagosën. Në rrjetet sociale, kjo shifër po lidhet me një aeroplanmbajtëse amerikane që Irani thotë se e dëmtoi. Sulmi është i dokumentuar. Çfarë ndodhi pas tij është pyetja. Këtu janë faktet, nga të dyja anët.**

## 37 të plagosurit

Më 25 shtator 2026, [The Washington Post](https://www.washingtonpost.com/national-security/2026/09/25/pentagon-quietly-adds-dozens-tally-troops-wounded-amid-iran-war/?ref=everteta.net) raportoi se numri i ushtarëve të plagosur në luftën me Iranin, në bazën publike të të dhënave të Pentagonit, ishte rritur me 37 "pa asnjë shpjegim nga Departamenti i Mbrojtjes". Ndër ta janë 29 marinarë të Marinës dhe 8 marines. Totali i të plagosurve arriti në 861.

Pentagoni nuk iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve, dhe Komanda Qendrore e SHBA-së, CENTCOM, nuk pranoi të komentonte, sipas [WION](https://www.wionews.com/world/pentagon-quietly-adds-37-wounded-troops-to-iran-war-tally-without-explaining-when-or-how-1790378020242?ref=everteta.net) dhe [Mediaite](https://www.mediaite.com/politics/pentagon-wounded-troop-count-in-iran-war-jumps-by-37-with-no-explanation/?ref=everteta.net). Një zyrtar i Marinës tha vetëm se të 29 marinarët "janë rikthyer në detyrë". Zyrtarët ushtarakë kanë thënë më parë se tronditjet dhe dëmtimet e trurit regjistrohen shpesh me vonesë, sepse simptomat nuk shfaqen menjëherë. Por për këta 37 askush nuk ka treguar incidentin.

Një postim që qarkullon gjerësisht në rrjete i vendos këta të plagosur pranë një pretendimi iranian se raketat e tij dëmtuan një aeroplanmbajtëse dhe një shkatërrues amerikan, dhe i fton lexuesit të "lidhin pikat". E Vërteta i kontrolloi pikat një për një, në burimet parësore. Asnjë dokument publik nuk i lidh 37 të plagosurit me ndonjë anije.

## Çfarë tha Irani, dhe pse dy zërat e tij nuk përputhen

Pretendimi për dëmin erdhi nga Korpusi i Gardianëve të Revolucionit Islamik (IRGC). Në deklaratën e tij të 5 shtatorit, të botuar nga [Press TV](https://www.presstv.co.uk/Detail/2026/09/05/775751/Iran-IRGC-ballistic-missiles-launch-American-aircraft-carrier-destroyer?ref=everteta.net), IRGC tha se kishte lëshuar "disa raketa balistike" kundër "një aeroplanmbajtëseje dhe një shkatërruesi" amerikan që merrnin pjesë në bllokadën detare kundër Iranit, dhe shtoi:

> "Pasi pësuan dëme dhe nga frika e një hakmarrjeje tjetër, dy anijet luftarake u detyruan të largoheshin nga zona e përleshjes."

Deklarata nuk e emërton asnjërën nga anijet. Nuk tregon se ku ndodhej ajo. Nuk jep asnjë provë për dëmin.

Një ditë më pas foli njeriu më i lartë i sigurisë në Iran. Gjeneralmajor Mohsen Rezaei, i emëruar në gusht sekretar i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare, sipas [Reuters](https://www.usnews.com/news/world/articles/2026-08-10/mohsen-rezaei-appointed-as-secretary-of-irans-top-security-body?ref=everteta.net), tha në televizion më 6 shtator, sipas agjencisë zyrtare iraniane [IRNA](https://www.globalsecurity.org/wmd/library/news/iran/2026/09/iran-260906-irna08.htm?ref=everteta.net):

> "Për herë të parë, e testuam raketën tonë kundër anijeve mbi një anije luftarake amerikane. Kjo rakete e veçantë krijoi ferr për amerikanët, dhe ata ikën."

Rezaei nuk tha "goditi" dhe nuk tha "dëmtoi". Tha "testuam" dhe "mbi". Në të njëjtën ndërhyrje, sipas analistëve të [Critical Threats](https://www.criticalthreats.org/analysis/iran-update-september-7-2026?ref=everteta.net), ai paralajmëroi se një goditje e suksesshme iraniane mbi një anije luftarake amerikane "mund të shkaktonte viktima të konsiderueshme". Përkthimet që qarkullojnë në rrjete e japin këtë si "mbi 300 viktima". E Vërteta nuk e gjeti këtë shifër në tekstet e IRNA-s dhe të Press TV.

Sido që të jetë shifra, fjalia është me kusht: nëse godasim një anije luftarake. Pra, sekretari i Këshillit të Sigurisë së Iranit e paraqiti goditjen e një anijeje si diçka që ende nuk kishte ndodhur. Një ditë më parë, Garda e tij e paraqiste si të kryer. Dy zërat më të larta ushtarake të Iranit tregojnë dy histori të ndryshme.

Më 7 dhe 8 shtator, televizioni shtetëror iranian transmetoi pamje dhe tha se dy anijet amerikane ishin sulmuar me raketa balistike Qasem Basir, sipas [Middle East Monitor](https://peaceandjusticepost.com/2026/09/08/iran-airs-footage-purporting-to-show-missile-strikes-on-us-warships/?ref=everteta.net), që shtonte se pretendimi "nuk mund të verifikohej në mënyrë të pavarur". Qasem Basir u prezantua në maj 2025 si rakete me rreze të paku 1,200 kilometra, e aftë, sipas Iranit, të gjejë objektivin pa GPS, sipas [Times of Israel](https://www.timesofisrael.com/iran-unveils-new-solid-fueled-ballistic-missile-with-1200-km-range/?ref=everteta.net). Në atë kohë ajo u paraqit si rakete kundër objektivave tokësore. Aftësia e saj për të goditur anije në lëvizje nuk është vlerësuar në mënyrë të pavarur.

## A mund të besohet CENTCOM?

Komanda Qendrore e SHBA-së nuk e mohoi sulmin. E pranoi, në të njëjtën ditë. Në deklaratën e 5 shtatorit, të botuar të plotë nga [CGTN](https://news.cgtn.com/news/2026-09-05/news-1Qci0YnqpIk/p.html?ref=everteta.net), CENTCOM tha se IRGC "lëshoi raketa balistike drejt dy anijeve luftarake të Marinës amerikane". Në fjalinë pasardhëse shtoi:

> "Një aeroplanmbajtëse amerikane dhe një shkatërrues me raketa të drejtuara i shmangën me sukses sulmet e shumta të paprovokuara iraniane. Asnjë pjesëtar i personelit amerikan nuk u dëmtua."

Si përgjigje, CENTCOM goditi tri cisterna nafte iraniane: M/T Downy, M/T Stark 1 dhe M/T Kylo.

Kur IRGC pretendoi disa ditë më vonë se kishte goditur dy shkatërrues amerikanë, CENTCOM u përgjigj më 9 shtator, sipas [Iran International](https://www.iranintl.com/en/202609098733?ref=everteta.net):

> "Asnjë anije luftarake e Marinës amerikane nuk është goditur; të gjitha tentativat e sulmit të IRGC dështuan."

Rezaei tha se, sipas Press TV, as CENTCOM "nuk mundi ta fshihte" sulmin. Kishte të drejtë vetëm për gjysmën. CENTCOM pranoi se raketat u lëshuan. Në të njëjtën deklaratë mohoi se ato goditen. Edhe analistët e pavarur të [Critical Threats](https://www.criticalthreats.org/analysis/iran-update-september-7-2026?ref=everteta.net) arritën në përfundimin se IRGC "tentoi të sulmonte forcat detare të SHBA-së", por se "raketat nuk i goditen anijet luftarake dhe nuk shkaktuan viktima".

Sulmet nuk u ndalën më 5 shtator. Në një [deklaratë të 8 shtatorit](https://www.centcom.mil/MEDIA/PUBLIC-RELEASES/Article/4593050/?ref=everteta.net), CENTCOM tha se IRGC kishte synuar edhe dy herë të tjera një anije luftarake amerikane me raketa balistike, dhe se anija "i shmangu me sukses" ato. Gazetari i Fox News në bordin e George Washington foli për "të parin nga tre sulme mbi anijet luftarake amerikane vetëm në javën e fundit", sipas [The War Zone](https://www.twz.com/sea/where-are-the-aircraft-carriers-september-23-2026?ref=everteta.net).

## Cila anije?

Në rrjete, anija e "dëmtuar" u identifikua si USS George Washington (CVN-73), aeroplanmbajtësja që zakonisht ka bazën në Yokosuka të Japonisë. Emri nuk erdhi nga Irani. Asnjë deklaratë e IRGC apo e qeverisë iraniane që E Vërteta arriti të lexonte nuk e përmend atë. Ai u përhap nga llogari në X dhe faqe të pakontrolluara.

George Washington ishte me të vërtetë në rajon. Sipas [USNI News](https://news.usni.org/2026/08/20/carrier-uss-george-washington-now-in-the-middle-east?ref=everteta.net), ajo hyri në zonën e CENTCOM rreth 20 gushtit, për të zëvendësuar USS Abraham Lincoln. Një gazetar i Fox News që ndodhej në bord tha se "aeroplanmbajtësja u sulmua me raketa iraniane", sipas [The War Zone](https://www.twz.com/sea/where-are-the-aircraft-carriers-september-23-2026?ref=everteta.net). Marina nuk ka konfirmuar se cila aeroplanmbajtëse ishte objektivi. Në të njëjtën zonë ndodhej edhe USS George H.W. Bush.

Por nëse George Washington ishte objektivi, pas sulmit ajo nuk u largua. [Ndjekësi i flotës i USNI News](https://news.usni.org/2026/09/21/usni-news-fleet-and-marine-tracker-sept-21-2026?ref=everteta.net) i 21 shtatorit, dy javë e gjysmë pas sulmit, shkruan:

> "Aeroplanmbajtësja USS George Washington (CVN-73), së bashku me Krahun Ajror 5 dhe USS Shoup (DDG-86), po operon në Detin Arabik në mbështetje të operacioneve të SHBA-së kundër Iranit."

I njëjti dokument vendos në Detin Arabik grupin e aeroplanmbajtëses George H.W. Bush dhe të paktën tetë shkatërrues të tjerë, përfshirë USS Delbert D. Black dhe USS John Paul Jones, dy anijet që IRGC tha më vonë se i kishte goditur. Asnjë anije nuk shfaqet në port për riparime.

Më 11 shtator, gjashtë ditë pas sulmit, [CBS News](https://www.cbsnews.com/news/uss-george-washington-exclusive-look-iran-war/?ref=everteta.net) transmetoi nga bordi i George Washington në Detin Arabik, pranë Ngushticës së Hormuzit. Komandanti i saj, kapiten Nicholas Deleo, tha: "Kemi shumë mënyra për të mbrojtur një anije të Marinës, si në sulm ashtu edhe në mbrojtje, dhe i përdorim të gjitha."

Më 24 dhe 25 shtator, llogari në X, ndër to "Hormuz Report", shkruan se Marina amerikane "i ka tërhequr plotësisht" anijet e saj nga vija e bllokadës. Burimi i parë i këtij pretendimi, një analist që shkruan me pseudonim, pretendonte diçka më të ngushtë: se nuk kishte parë aeroplanmbajtëse në Gjirin e Omanit që nga fillimi i shtatorit. Më vonë u tha se anijet ishin zhvendosur disa qindra kilometër më larg, në mes të Detit Arabik. Kjo nuk është konfirmuar, por as përgënjeshtruar: burimet zyrtare nuk japin kurrë distanca.

Atë që dokumentet e tregojnë, e tregojnë qartë. Më 23 shtator, [USNI News](https://news.usni.org/2026/09/23/3-years-of-middle-east-combat-altering-how-navy-supplies-maintains-fleet-leaders-say?ref=everteta.net) shkruante se "më shumë se një duzinë shkatërruesish" po mbështesnin aeroplanmbajtëset George H.W. Bush dhe George Washington në Detin Arabik dhe në Oqeanin Indian. Një oficer i Marinës, kapiten Eric Kellum, tha: "Po mbajmë 15 anije luftarake në zonën e angazhimit." Më 25 shtator, pesë orë pas postimit viral, [CENTCOM shkruante](https://x.com/CENTCOM/status/2103526758834110482?ref=everteta.net) se forcat e saj kishin devijuar 122 anije tregtare dhe se bllokada vazhdonte.

Pas sulmit nuk është raportuar largimi i asnjë aeroplanmbajtëseje nga rajoni. E vetmja që iku, USS Abraham Lincoln, u largua në gusht, kur e zëvendësoi George Washington, dy javë para sulmit.

## Satelitët që nuk shohin detin

Argumenti i dytë në rrjete është se imazhet satelitore komerciale nuk tregojnë asnjë anije luftarake amerikane në Gjirin e Omanit që nga fillimi i shtatorit, dhe se flota "është tërhequr". Pretendimi vjen nga llogari të rreshtuara me Iranin në X, si "Hormuz Report" dhe "Iran Observer". Sipas [Defense Mirror](https://defensemirror.com/news/42080?ref=everteta.net), që e përcolli, imazhet janë nga sateliti evropian Sentinel-2\. Asnjë analist nuk është emërtuar.

Mungesa e anijeve në këto imazhe provon shumë pak. Sentinel-2 fotografon toka dhe ujra bregdetare. Nuk skanon sistematikisht detin e hapur, ku operojnë aeroplanmbajtëset. Eksperti i flotës H I Sutton e ka shpjeguar këtë që në vitin 2020 në [Forbes](https://www.forbes.com/sites/hisutton/2020/05/07/the-realities-of-tracking-aircraft-carriers-with-civilian-satellites/?ref=everteta.net): "Satelitët komercialë janë të përqendruar kryesisht te toka. Ata nuk fotografojnë hapësira të mëdha oqeani, përveç kur ka nevojë."

Përveç kësaj, kompanitë kryesore të imazheve e kanë kufizuar rajonin gjatë kësaj lufte. Sipas [Anadolu](https://www.aa.com.tr/en/world/access-to-satellite-imagery-restricted-amid-iran-war-report/3866406?ref=everteta.net), në mars 2026 Planet i zgjati në dy javë vonesat e imazheve të Lindjes së Mesme, ndërsa Vantor, ish-Maxar, nuk publikon imazhe të bazave amerikane.

Edhe [Defence Security Asia](https://defencesecurityasia.com/en/us-carriers-iran-blockade-line-missile-attack-arabian-sea/?ref=everteta.net), që e përhapi historinë, paralajmëron se mungesa në imazhe duhet trajtuar si provë për një vend të caktuar, "jo si provë e një tërheqjeje në të gjithë teatrin". Një aeroplanmbajtëse në detin e hapur nuk do të dukej në këto imazhe, qoftë që të ishte zhvendosur, qoftë jo. Nëse anijet janë larguar më shumë nga bregu iranian, kjo mund të jetë taktikë për t'u mbajtur jashtë rrezes së raketave, ose mund të jetë pasojë e sulmit. Imazhet satelitore nuk e dallojnë dot.

## Numërimi që nuk mbyllet

Nëse 37 të plagosurit nuk vijnë nga një anije e goditur, nga vijnë? Pentagoni nuk e thotë. Dhe kjo nuk është hera e parë që baza e tij e të dhënave ndryshon pa shpjegim.

Sipas Pentagonit, në luftën me Iranin kanë vdekur 19 ushtarakë amerikanë, 14 gjatë Operacionit Epic Fury, që përfundoi më 5 maj, dhe 5 pas tij, sipas [Marine Corps Times](https://www.marinecorpstimes.com/news/your-military/2026/09/23/army-identifies-19th-us-service-member-to-die-amid-iran-war/?ref=everteta.net). E fundit ishte kapitene Bianca C. Wilkerson, e cila vdiq më 18 shtator në një incident jo luftarak gjatë një fluturimi ushtarak drejt Arabisë Saudite.

Por [The Intercept](https://theintercept.com/2026/09/22/iran-war-military-casualties/?ref=everteta.net) raportoi më 22 shtator se baza e të dhënave nuk përfshin të paktën dy ushtarakë që vdiqën gjatë luftës:

- majorin Sorffly Davius, që vdiq më 6 mars në Camp Buehring të Kuvajtit;
- rreshterin Devin Seibel, që vdiq më 31 maj në Irbil të Irakut, në një aksident stërvitjeje.

Sipas të njëjtit raportim, më 21 prill numri i të plagosurve në betejë ra me 15, pa asnjë shpjegim. Statistikat zyrtare tregojnë 352 të plagosur ose të vrarë në korrik dhe asnjë në gusht. Zëdhënësi i Pentagonit nuk iu përgjigj pyetjeve të The Intercept.

Një numërim që bie, që le jashtë të vdekur, dhe që shton 37 të plagosur pa thënë ku e kur, krijon pikërisht zbrazëtinë ku lindin teoritë. Kur shteti nuk shpjegon, të tjerë shpjegojnë në vend të tij.

## Nëse do ta kishin goditur

Nëse një rakete iraniane do të kishte goditur një aeroplanmbajtëse amerikane, kjo nuk do të ishte një ngjarje e zakonshme lufte. Do të ishte hera e parë në më shumë se 80 vjet.

Aeroplanmbajtësja e fundit amerikane e fundosur nga një armik ishte USS Bismarck Sea, e goditur nga kamikazë japonezë pranë Iwo Jimës më 21 shkurt 1945, sipas [Komandës së Historisë dhe Trashëgimisë Detare të SHBA-së](https://www.history.navy.mil/research/histories/ship-histories/casualties-navy-and-coast-guard-ships.html?ref=everteta.net). Që nga ajo kohë, aeroplanmbajtësja është bërë simboli i fuqisë amerikane: një aeroport lundrues me mbi 5,000 njerëz në bord, që mund të shfaqet pranë çdo bregu të botës.

Pikërisht për këtë arsye, analistët ushtarakë amerikanë e kanë paralajmëruar prej vitesh këtë skenar. Në vitin 2017, një oficer i Marinës, toger Jeff Vandenengel, shkruante në revistën *Proceedings* se humbja e një aeroplanmbajtëseje "do të dërgonte valë tronditjeje në të gjithë botën" dhe pyeste: "Sa udhëheqës politikë do ta mbështesnin përfshirjen e SHBA-së në një konflikt, pasi lajmet e mbrëmjes të transmetonin pamjet e një aeroplanmbajtëseje në flakë?"

Nuk duhet fundosur një aeroplanmbajtëse që ajo të dalë jashtë loje. Analisti Harry Kazianis shkruante në gusht 2026 në *19FortyFive*: "Një 'vrasje e misionit' është më e lehtë, dhe mjafton. Një goditje e vetme iraniane që nis një zjarr të tillë do të ishte një ngjarje strategjike edhe nëse byka mbetej e thatë. Fluturimet do të ndalëshin."

### Çfarë do të thoshte për strategjinë amerikane

Marina amerikane e ka ndjekur këtë rrezik kryesisht duke menduar për Kinën, jo për Iranin. Në një simulim të një pushtimi kinez të Tajvanit, të botuar në janar 2023, [Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS)](https://www.csis.org/analysis/first-battle-next-war-wargaming-chinese-invasion-taiwan?ref=everteta.net) arriti në përfundimin se SHBA-ja dhe aleatët e saj "humbën dhjetëra anije, qindra avionë dhe dhjetëra mijëra ushtarakë". Sipas raportit, në shumicën e përsëritjeve SHBA-ja humbte dy aeroplanmbajtëse.

Kina ka raketat e veta balistike kundër anijeve, DF-21D dhe DF-26\. Në vitin 2018, kundëradmirali kinez në pension Luo Yuan i quajti ato "vrasëse aeroplanmbajtësesh". Një goditje e suksesshme iraniane do të ishte prova e parë në luftë se një rakete balistike mund ta arrijë atë që paralajmërohet prej vitesh. Kjo do të ndikonte në llogaritë e Pekinit për Tajvanin dhe në besimin e aleatëve aziatikë se flota amerikane mund t'i mbrojë.

Ka edhe një kosto më të qetë, që ekziston edhe pa goditje. Çdo rakete që rrëzohet kushton miliona. Sipas zëvendësadmiralit Brendan McLane, të cituar nga [Stars and Stripes](https://www.stripes.com/branches/navy/2025-01-16/houthis-navy-red-sea-missiles-drones-16500246.html?ref=everteta.net) në janar 2025, vetëm kundër Houthive në Detin e Kuq Marina lëshoi 120 raketa SM-2, 80 SM-6 dhe 20 raketa të tjera në 15 muaj. Një SM-6 kushton rreth 3.9 milionë dollarë.

### Zërat që thonë se aeroplanmbajtësja mbetet e mbrojtur

Jo të gjithë analistët janë pesimistë. Profesori Robert Farley i Universitetit të Kentakit shkruante në shkurt 2026 se është "shumë e pagjasë që ushtria e Iranit të mundë të fundosë një anije luftarake amerikane, dhe pothuajse me siguri jo një aeroplanmbajtëse". Arsyeja kryesore është gjetja e objektivit. Sipas [Asia Times](https://asiatimes.com/2026/09/qasem-basir-missiles-combat-debut-escalates-iran-war-dangers/?ref=everteta.net), një rakete si Qasem Basir "zgjidh vetëm pjesën e fundit të problemit": Irani duhet së pari të gjejë, të identifikojë dhe të ndjekë vazhdimisht një anije në lëvizje përgjatë qindra kilometrave.

Historia e fundit ka edhe një precedent. Në vitin 2024, Houthit në Jemen pretenduan disa herë se kishin goditur aeroplanmbajtësen USS Dwight D. Eisenhower. "Mendoj se janë dy a tri herë në gjashtë muajt e fundit që gjoja jemi fundosur, gjë që nuk ka ndodhur", tha komandanti i saj, kapiten Christopher Hill, në qershor 2024, sipas [AP](https://www.pbs.org/newshour/world/u-s-carrier-captain-says-houthis-are-trying-to-inspire-themselves-through-misinformation-with-false-claims-of-hitting-his-ship?ref=everteta.net). "Është pothuajse komike." Anija u kthye në bazën e saj në Virxhinia në korrik 2024.

*E Vërteta — aty ku e vërteta gjithmonë fiton.*