> ## Content Index
> Fetch the complete content index at: https://everteta.net/llms.txt
> Use this file to discover other available public pages before exploring further.

# Dosja Balluku: 36 miliardë lekë tendera, 22 zyrtarë në gjyq
- URL: https://everteta.net/dosja-balluku-36-miliarde-leke-tendera-22-zyrtare-ne-gjyq/
- Published: 2026-11-16T13:50:32.000Z
- Updated: 2026-11-17T11:58:07.000Z
- Description: SPAK dërgoi për gjykim ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku dhe 27 të pandehur të tjerë. Analiza e E Vërtetës: dhjetë tendera me vlerë 36 miliardë lekë, 22 ish-zyrtarë në gjyq, vetëm një akuzë për dhënie ryshfeti dhe tre emra që mungojnë nga lista.
- Author: Dorand Vojka
- Tags: Kombi Shqiptar

*SPAK dërgoi për gjykim ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku dhe 27 të pandehur të tjerë. Një analizë e E Vërtetës mbi dosjen tregon se gjysma e vlerës së tenderave është Tuneli i Llogarasë, se për tetë nga dhjetë procedurat nuk figuron asnjë kompani mes të pandehurve, dhe se tre emra të tetorit janë zhdukur nga lista pa shpjegim.*

[Belinda Balluku](https://everteta.net/dosja-balluku-36-miliarde-leke-tendera-22-zyrtare-ne-gjyq/), ish-zëvendëskryeministre dhe ish-ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, u dërgua të hënën për gjykim me akuza për korrupsion pasiv, shkelje të barazisë në tendera, fshehje pasurie dhe pastrim parash, në dosjen më të madhe të korrupsionit që ka prekur infrastrukturën publike në Shqipëri.

Njoftimi i Prokurorisë së Posaçme, i publikuar më 16 nëntor, rendit 28 të pandehur dhe dhjetë procedura prokurimi. Një analizë e E Vërtetës mbi njoftimin tregon atë që dosja përmban, por edhe atë që i mungon.

Dhjetë tenderat kanë së bashku një fond limit prej 36,18 miliardë lekësh, rreth 370 milionë euro, sipas llogaritjes së E Vërtetës. Nga 26 individët e pandehur, 22 janë ish-zyrtarë shtetërorë, përfshirë Ballukun. Vetëm një shoqëri dhe administratori i saj akuzohen për korrupsion aktiv, pra për dhënie ryshfeti.

Balluku do të gjykohet në gjendje të lirë. Sipas raportimeve të medias, Kuvendi e rrëzoi në mars kërkesën e SPAK-ut për arrestimin e saj.

Çdo i pandehur prezumohet i pafajshëm deri në vendim gjyqësor të formës së prerë, thekson SPAK në njoftim.

**Tynele, tendera, rryshfete, vila pa emra dhe zyrtarë të korruptuar**

[Procedura më e madhe në dosje është ndërtimi i Tunelit të Llogarasë](https://everteta.net/shqiperia-ne-prag-katastrofe-deshtimi-i-kryeministrit-rama-dhe-ministrise-se-infrastruktures-se-energjise/), me fond limit 18,97 miliardë lekë pa TVSH. Sipas llogaritjes së E Vërtetës, ai përbën 52 për qind të vlerës së dhjetë procedurave.

Shtatë procedura të tjera lidhen me unazën e Tiranës, nga Sheshi Shqiponja deri te Lotet 4, 5, 6 dhe 7 të Unazës së Jashtme. Së bashku, ato arrijnë 15,63 miliardë lekë, ose 43 për qind të totalit.

Dy të fundit janë Loti 3 i rrugës Porto Romano–Durrës, me rreth 1,5 miliardë lekë, dhe rikonstruksioni i godinës teknologjike të Albcontrol-it, me 88,7 milionë lekë.

Prokuroria pretendon se në këto procedura pati preventivë të fryrë, afate të shkurtuara për ofertat, kritere kufizuese dhe favorizim të ofertuesve të caktuar. Balluku akuzohet për shkelje të barazisë në tendera në nëntë raste, u thanë gazetarëve kreu i SPAK-ut, Klodian Braho, dhe prokurori i çështjes, Dritan Prençi.

Mes 28 të pandehurve ka vetëm dy shoqëri tregtare dhe një administrator shoqërie. Prokuroria i lidh ato me dy nga dhjetë procedurat.

E para është Loti 7 i Unazës së Jashtme, me fond limit 2,35 miliardë lekë. Sipas SPAK-ut, shoqëria Alko Impex General Construction, degë e një shoqërie të huaj dhe pjesë e bashkimit fitues, u favorizua në tender. Në këmbim, pretendon prokuroria, Balluku përfitoi punime në një vilë në kompleksin Green Coast në Palasë. Shoqëria dhe administratori i saj, Arbër Abazi, akuzohen për korrupsion aktiv.

[E dyta është tenderi i Albcontrol-it.](https://everteta.net/nqs-do-te-doje-ta-shkaterroje-shqiperine-si-do-ta-beje/) Prokuroria pretendon se shoqëria Eurocol sh.p.k. u favorizua në këmbim të një vile në Dhërmi.

Për tetë procedurat e tjera, përfshirë Tunelin e Llogarasë, lista e të pandehurve nuk përmban asnjë shoqëri dhe asnjë sipërmarrës të akuzuar për korrupsion. Të akuzuarit për këto procedura janë zyrtarët që i zhvilluan.

Rasti i Albcontrol-it ka një veçori. Balluku akuzohet se mori një vilë në këmbim të tenderit. Eurocol, shoqëria që prokuroria pretendon se u favorizua, nuk akuzohet për korrupsion aktiv, por për pastrim parash.

Mediat raportuan në tetor se ndjekja penale për korrupsion aktiv në këtë episod ishte parashkruar. Njoftimi i SPAK-ut nuk e shpjegon zgjedhjen e akuzës.

Edhe shifrat e këtij episodi bien në sy. Fondi limit i tenderit ishte 88,7 milionë lekë, rreth 910.000 euro. Vila F6 në Dhërmi ka sot vlerë tregu 720.000 euro, sipas SPAK-ut. Njoftimi nuk thotë sa vlente vila kur, sipas prokurorisë, u përfitua.

SPAK ka sekuestruar dy prona me vlerë të përgjithshme 1,83 milionë euro: Vilën 188/1 në Palasë, të vlerësuar 1,11 milionë euro, dhe Vilën F6 në Dhërmi.

Sipas njoftimit, pronat u regjistruan në emër të Igli Tares përmes dokumentacionit fiktiv. Tare, të cilin mediat shqiptare e identifikojnë si ish-futbollistin e kombëtares, akuzohet për pastrim parash. E njëjta akuzë rëndon mbi Joana Bushin, të cilën njoftimi e përshkruan si vartëse të Ballukut, dhe mbi Pandeli Carapulin.

Nga 26 individët e pandehur, 21 janë ish-zyrtarë nën Ballukun, sipas numërimit të E Vërtetës mbi listën e SPAK-ut.

Mes tyre janë tre ish-drejtorë të përgjithshëm të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi, Ergys Verdho dhe Gentian Gjyli, si dhe ish-sekretarja e përgjithshme e ministrisë, Viola Haxhiademi. Të tjerët janë ish-drejtues sektorësh dhe ish-specialistë prokurimi e projektimi. Ata akuzohen për shkelje të barazisë në tendera, shpërdorim detyre, ose për të dyja.

Asnjë prej tyre nuk akuzohet për korrupsion. Sipas njoftimit, akuza për marrje ryshfeti rëndon vetëm mbi Ballukun.

**Në gjyq, por e lirë**

Sipas raportimeve të medias, SPAK kërkoi në dhjetor 2025 autorizim nga Kuvendi për arrestimin e Ballukut. Më 12 mars, Kuvendi e rrëzoi kërkesën me 82 vota kundër dhe 47 pro.

Që atëherë, dosja është rënduar: u sekuestrua vila në Dhërmi dhe u shtuan akuza të reja. Megjithatë, Braho u tha të hënën gazetarëve se zgjerimi i akuzave nuk përbën, më vete, fakt të ri që do të justifikonte një kërkesë tjetër për arrestim. Ai e quajti vendimin e Kuvendit "të padrejtë", por tha se SPAK ishte i detyruar ta zbatonte.

Njoftimi i SPAK-ut nuk e përmend imunitetin.

Analiza e E Vërtetës lë katër pyetje, të cilat njoftimi nuk i përgjigjet.

Kush i fitoi tetë procedurat e tjera, mes tyre Tunelin e Llogarasë, dhe pse asnjë shoqëri fituese nuk figuron mes të pandehurve.

Pse shoqëria që, sipas prokurorisë, dha një vilë në këmbim të një tenderi nuk akuzohet për korrupsion aktiv.

Çfarë ndodhi me tre të pandehurit që mungojnë nga lista.

Çfarë po heton SPAK në procedimin 136/1.

E Vërteta nuk gjeti ndonjë reagim publik të Ballukut ndaj kërkesës për gjykim deri në publikimin e këtij artikulli.

*E Vërteta — aty ku e vërteta gjithmonë fiton.*