> ## Content Index
> Fetch the complete content index at: https://everteta.net/llms.txt
> Use this file to discover other available public pages before exploring further.

# Nga Prishtina në Tiranë: rasti Vlora Hysenit
- URL: https://everteta.net/nga-prishtina-ne-tirane-rasti-vlora-hysenit/
- Published: 2026-09-22T13:02:08.000Z
- Updated: 2026-09-22T20:04:52.000Z
- Description: Vlora Hyseni: shkarkuar nga Kurti e Osmani në 2021, emëruar nga Rama në 17 ditë në 2023, në arrest shtëpie në 2026. Çfarë verifikoi shteti mes këtyre datave.
- Author: Dorand Vojka
- Tags: Kombi Shqiptar

Të premten, më 17 mars 2023, kryeministri Edi Rama qëndroi tridhjetë minuta në zyrën e Presidentit të Republikës. Kur doli, shkroi në Facebook se i kishte paraqitur Bajram Begajt propozimin për drejtoreshen e re të Shërbimit Informativ të Shtetit, dhe e shpjegoi zgjedhjen me një fjali: “përgatitja e spikatur, eksperienca e krijuar në vite dhe respekti që zonja Hyseni gëzon në komunitetin ndërkombëtar të inteligjencës, përbëjnë një garanci të plotë”.

Tre vjet, gjashtë muaj dhe katër ditë më vonë, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar mori vendimin numër 67: “Arrest në shtëpi” dhe “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” për Vlora Hysenin, si person nën hetim.

Garancia që Rama dha atë të premte ishte e vetmja që dikush dha ndonjëherë. Sepse ligji nuk kërkon asnjë tjetër.

Kjo është historia se si u zgjodh kreu i shërbimit sekret të një vendi anëtar të NATO-s: me dy firma, pa asnjë votë, dhe pa asnjë pyetje drejtuar vendit që sapo e kishte larguar.

## Shtatëmbëdhjetë ditë

Procedura është e shkurtër dhe [SHISH](https://everteta.net/ektures-se-mbikeqyrjes-qe-po-nderton-edi-rama/)\-i e publikon vetë. Ligji numër 8391, i 28 tetorit 1998, neni 5: “Drejtori e zëvendësdrejtori i tij emërohen e shkarkohen nga Presidenti i Republikës me propozim të Kryeministrit.” Kjo është e gjitha. Kuvendi shfaqet në nenin 7, si marrës i një raporti, të paktën një herë në vit, përmes Komisionit për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes. Nuk ka seancë dëgjimore. Nuk ka mendim komisioni. Nuk ka votë.

Prandaj nuk ka vota për t’u numëruar. Dy njerëz e vendosin kreun e shërbimit sekret: njëri propozon, tjetri firmos.

Kalendari i vitit 2023 tregon sa shpejt funksionon kjo. Më 17 mars, propozimi. Më 3 prill, Dekreti numër 51 i Presidentit të Republikës — numri shfaqet vetëm në faqen e SHISH-it, në asnjë njoftim shtypi. Më 4 prill, Rama e prezantoi drejtoreshen e re para institucionit, i shoqëruar nga ministrat, dhe shkroi: “Urime.” Shtatëmbëdhjetë ditë nga propozimi te dekreti.

Në ditën e propozimit, opozita e tha atë që do të bëhej pyetja e tre viteve më vonë. Gazment Bardhi kërkoi që Begaj të merrte informacion të plotë nga Kosova për shkarkimin e saj. Kreshnik Çollaku: “Ky rast më duket një provokim i panevojshëm nga Shqipëria karshi institucioneve të Kosovës.” Askush nuk u përgjigj.

Dhe ka një detaj që e bën këtë më shumë se histori. Në vitin 2026 qeveria e rihapi pikërisht këtë ligj. Këshilli i Ministrave i miratoi ndryshimet më 20 maj; Kuvendi i votoi më 2 korrik, me 72 vota pro, asnjë kundër, asnjë abstenim, me opozitën të munguar nga salla. Ndryshimet e zgjeruan fushën ku SHISH-i mund të mbledhë informacion — siguria ekonomike, infrastruktura kritike, hapësira kibernetike — dhe e kaluan pagën e drejtorit në vendim të Këshillit të Ministrave. Neni 5 u prek vetëm për pagën. Mënyra se si zgjidhet drejtori mbeti siç ishte.

## Çfarë dinte Prishtina

Vlora Hyseni ka lindur në Kosovë në vitin 1984 dhe, sipas biografisë zyrtare në faqen e SHISH-it, mban shtetësinë kosovare dhe shqiptare. Në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë hyri në vitin 2010\. Drejtoi marrëdhëniet me jashtë. Më 27 shkurt 2019 u emërua zëvendësdrejtore, me firmat e presidentit Hashim Thaçi dhe të kryeministrit Ramush Haradinaj, për një mandat pesëvjeçar. Kur kryeministri Avdullah Hoti i kërkoi dorëheqjen drejtorit Kreshnik Gashi në dhjetor 2020, ajo e drejtoi agjencinë në detyrë për katër muaj, derisa Vjosa Osmani dhe Albin Kurti emëruan Petrit Ajetin në prill 2021.

Më 30 qershor 2021, [Osmani dhe Kurti ](https://everteta.net/qarku-i-mbyllur-bekim-sejdiu-kipred-dhe-soros/)e shkarkuan. Baza ligjore ishte neni 6, pika 4, e ligjit për AKI-në, sipas të cilit zëvendësdrejtori shkarkohet “nëpërmjet procesit të njëjtë me të cilin është emëruar”. Ligji nuk kërkon arsye. Nuk u dha asnjë. Njoftimi e detyronte të dorëzonte “të gjitha mjetet dhe materialet me të cilat ka qenë e ngarkuar” dhe i kujtonte se zbulimi ose mosruajtja e informacioneve të klasifikuara përbën vepër penale.

Ajo nuk e kundërshtoi kurrë publikisht. Në shtator 2021 ishte këshilltare për sigurinë kombëtare në zyrën e Edi Ramës.

Këtu duhet thënë qartë se çfarë nuk dihet, sepse shumë është shkruar sikur të dihej. Çdo version më i rëndë i shkarkimit — “shkelje të rënda në detyrë”, “humbje besimi”, “lidhje me Serbinë” — e ka burimin te deklarata të opozitës ose te tituj pa burim. Në maj 2023 qarkulloi lajmi se ajo kishte kaluar dhjetë ditë në Beograd; Sali Berisha e quajti “kërcënim për sigurinë e Kosovës, Shqipërisë, rajonit dhe NATO-s”. Faktoje e vlerësoi të pavërtetë, me fotografi të saj në ceremoninë e stërvitjes “Defender 23” në Tiranë më 22 maj. SHISH-i iu përgjigj Faktoje-s më 6 qershor 2023 se drejtoresha “nga dita e marrjes së detyrës deri më sot, nuk ka marrë pjesë në asnjë vizitë apo takim jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë”. Berisha e përsëriti pretendimin për Beogradin dje.

Dhe fjalia mbi të cilën qëndron ky shkrim: Edi Rama nuk ka thënë kurrë publikisht pse Prishtina e shkarkoi Vlora Hysenin. Asnjë burim nuk ka raportuar ndonjëherë se ai pyeti.

## Garancia në punë

Nga faqja zyrtare e SHISH-it, garancia duket në punë. Në fund të janarit 2024, Vlora Hyseni u takua në Uashington me Avril Haines, drejtoreshen e Inteligjencës Kombëtare amerikane. Më 26 qershor 2024, në Bruksel, me Scott Bray, ndihmëssekretar i përgjithshëm i NATO-s — ditën para se të mos paraqitej në komisionin parlamentar për TIMS-in. Nga 15 deri më 17 maj 2025, përsëri në Uashington, me Tulsi Gabbard dhe me drejtorin e CIA-s, John Ratcliffe; sipas njoftimit të SHISH-it, palët e vlerësuan shërbimin shqiptar si “partner të besueshëm”. Më 23 shtator 2025, në selinë e NATO-s, me Mark Rutten dhe Radmila Shekerinskën.

Për nëntorin 2025, SHISH-i shkroi se punimet e Komitetit të Inteligjencës Civile të NATO-s “u drejtuan nga kreu i SHISH, znj. Vlora Hyseni, në cilësinë e kryesuesit”, dhe se kjo ndodhte “për herë të parë në historinë e shërbimit shqiptar”. Njoftimi i vetë NATO-s për takimin e 19 nëntorit 2025 e emërton kryesues admiralin Giuseppe Cavo Dragone dhe nuk e përmend Shqipërinë. Të dyja tekstet ekzistojnë. Ky shkrim nuk e zgjidh mospërputhjen.

Në Kuvend, garancia dukej ndryshe. Më 17 korrik 2024, në raportimin vjetor, ajo kërkoi seancë të mbyllur vetëm me deputetë të certifikuar, dhe tha: “Kemi rritur bashkëpunimin dhe mbështetjen informative për agjencitë ligjzbatuese, si me SPAK, BKH, DPPSH, prokuroritë e rretheve gjyqësore.” Më 29 qershor 2026, kur opozita e akuzoi se SHISH-i kishte infiltruar protestat, ajo u përgjigj: “Po dezinformoni dhe po e përdorni si gjithmonë raportimin në komision për retorika dhe interesa politike.”

Mes këtyre dy datave, më 26 janar 2026, deputeti Klevis Balliu thotë se i dërgoi një kërkesë zyrtare parlamentare me pyetje për Ergys Agasin dhe për çdo kontakt të SHISH-it me të. Sipas Balliut, në komision ajo mohoi çdo kontakt. Përgjigjja e saj me shkrim, nëse ekziston, nuk është publikuar.

## Vendimi numër gjashtëdhjetë e shtatë

Njoftimi i SPAK-ut i 22 shtatorit 2026 është dokumenti, dhe duhet lexuar si i tillë.

Hetimet zhvillohen “në kuadër të procedimit penal nr. 20/1 të vitit 2025” — dosja e AKSHI-t, jo një çështje e re. Gjykata e Posaçme mori tri vendime. Me vendimin numër 618, të 20 shtatorit, lejoi “kontrollin e banesës dhe kontrollin personal të shtetasit I.P., ish funksionar i lartë i Policisë së Shtetit”. Me vendimin numër 67, të 21 shtatorit, caktoi për “shtetasen V.H., me detyrë Drejtor i Shërbimit Informativ Shtetëror” masat “Arrest në shtëpi” dhe “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, “si person nën hetim për veprat penale të parashikuara nga nenet 320/2 dhe 295/a/1 të Kodit Penal”. Me vendimin numër 619, të 21 shtatorit, lejoi kontrollin e një kompleksi vilash në Shkozet të Durrësit.

Dy nenet kanë emra. Neni 320 i Kodit Penal titullohet “Pengime për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës”; vendimi i gjykatës në fjalë mund të jetë vetëm urdhri i arrestit ndaj Ergys Agasit, i dhjetorit 2025, që mbeti i paekzekutuar për tetë muaj. Neni 295/a titullohet “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”. Mediat raportuan si akuzë të dytë “përkrahjen e autorit të krimit” — ai është neni 302, dhe në njoftimin e SPAK-ut i ngarkohet një personi tjetër, jo asaj.

“Këto vendime i janë dërguar Policisë së Shtetit e cila ka ekzekutuar dy prej tyre”, thotë njoftimi. I paekzekutuari është i saji. Tri media raportuan se drejtoresha ndodhet në Baku, në forumin e katërt të sigurisë që hapi punimet po atë ditë, me shërbime nga mbi njëqind vende. Asnjëra nuk ia atribuon lajmin SHISH-it. SHISH-i nuk ka thënë ku është drejtoresha e vet.

Dy të tjerë u arrestuan. Shtetasi F.K., “Përgjegjës Sektori” në Institutin e Policisë Shkencore, i identifikuar nga mediat si Fatjon Kalluci, për nenin 295/a/1 — zbulim të dhënash sekrete. Shtetasi E.S., punonjës i “Agroturizëm Kodra e Kuajve”, i identifikuar si Embro Sulejmani, për nenin 302/2 — përkrahje të autorit të krimit; mediat raportojnë se dyshohet për fshirjen e pamjeve të kamerave të sigurisë pas arrestimit të Agasit.

Për Ilir Prodën, njoftimi thotë njëzet fjalë: kontroll banese dhe kontroll personal, “ish funksionar i lartë i Policisë së Shtetit”. Asnjë nen. Asnjë vepër penale. Shprehja “person nën hetim” përdoret për tre persona në atë njoftim dhe nuk përdoret për të. Ai u pyet në SPAK dhe u largua.

[Ergys Agasi](https://everteta.net/ergys-agasi-dosja-e-akshi-t-kush-e-mbrojti-agasin/), biznesmen nga Durrësi, u shpall në kërkim në dhjetor 2025 dhe u arrestua më 26 gusht 2026 në Plepë, i akuzuar nga SPAK-u si drejtues i një grupi të strukturuar kriminal që manipulonte tenderët e AKSHI-t — nëntëmbëdhjetë procedura, rreth 5,9 miliardë lekë. Para gjykatës ai tha se nuk ka përfituar nga tenderët dhe nuk ka qenë pjesë e grupeve kriminale.

Njoftimi i SPAK-ut mbyllet me një fjali që ky shkrim e merr si të vetën: “Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.”

Pas dokumentit vjen heshtja, dhe ajo është fakt. Kryeministri Rama ndodhet në Nju Jork për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së; nuk ka deklaratë. Presidenca: asnjë. Jorida Tabaku kërkoi mbledhjen e menjëhershme të Këshillit të Sigurisë Kombëtare; nuk është mbledhur. Albin Kurti, presidentja në detyrë Albulena Haxhiu, Agjencia e Kosovës për Inteligjencë: asnjë fjalë. Askush nuk ka njoftuar kush e drejton sot Shërbimin Informativ të Shtetit.

Në Kuvend, dy fjali përballë njëra-tjetrës. Ivi Kaso: “rënia e shtetit shqiptar”. Fatmir Xhafaj: “shenjë e pjekurisë së demokracisë”. Sali Berisha tha se e kishte konsideruar që në 2023-shin “një kërcënim serioz për NATO-n”. Tirana Times shkroi se “nuk ka asnjë provë publike që informacione të NATO-s të jenë komprometuar”. Të katërta janë deklarata, dhe si të tilla qëndrojnë këtu.

## Katër folje

Kthehuni te postimi i asaj të premteje dhe te tri fjalët e fundit: “një garanci të plotë”.

Një garanci e plotë do të kishte kërkuar diçka. Një votë. Një dosje verifikimi. Një telefonatë në Prishtinë, për të pyetur pse një shërbim partner e kishte larguar. Nga këto tria, dokumentet nuk tregojnë asnjërën. Ligji nuk e kërkon të parën; askush nuk ka raportuar të dytën; kryeministri nuk ka thënë kurrë se e bëri të tretën.

Deputetja Marjana Koçeku e tha dje me katër folje: “Vlorën e ka emnu [Hashim Thaçi](https://everteta.net/masakra-e-hages/), e ka shkarku [Albin Kurti](https://everteta.net/kosova-stervitet-per-nje-garanci-qe-nuk-e-ka/), e ka emnu Edi Rama, e ka arrestu SPAK-u.”

Katër veta vepruan. Ajo që askush nuk bëri mes tyre, ishte të pyeste.

*E Vërteta — aty ku e vërteta gjithmonë fiton.*