Nqs do të doje ta shkaterroje Shqipërinë, si do ta bëje?

Një eksperiment mendimi: po të ishe armiku i këtij vendi dhe do ta bëje të varur nga të tjerët për bukën, për karburantin dhe për dritën, nuk do të të duhej ushtri. Do të të mjaftonte një listë. Kjo është ajo.

Share
Nqs do të doje ta shkaterroje Shqipërinë, si do ta bëje?
Harta e Shqiperisë

Një eksperiment mendimi: po të ishe armiku i këtij vendi dhe do ta bëje të varur nga të tjerët për bukën, për karburantin dhe për dritën, nuk do të të duhej ushtri. Do të të mjaftonte një listë. E Vërteta e shkroi atë listë, dhe pastaj kontrolloi në ligje, vendime qeverie dhe statistika zyrtare se sa prej saj është zbatuar në Shqipëri që nga viti 1991.

Përgjigjja është: pothuajse e gjitha.

Lista ka nëntë hapa. Ata u zbatuan gjatë 35 vjetëve, nga qeveri të majta dhe të djathta. Pas çdo hapi ka një ligj, një vendim, një kryeministër dhe një arsye zyrtare. Por pasojat janë të matshme, dhe të marra së bashku ato përshkruajnë pikërisht atë që do të bënte dikush që e dëshironte një vend të varur nga të tjerët. Dhe është pikërisht kjo varësi që mund të sjellë shkatërrimin e Shqipërise.

Hapi 1: Copëtoje tokën

Një vend që do të ushqejë veten ka nevojë për ferma të mëdha mjaftueshëm për të prodhuar për tregun. Nëse do ta pengoje këtë, tokën do ta ndaje në copa aq të vogla sa askush të mos prodhojë më shumë se sa i duhet familjes së vet.

Më 19 korrik 1991, Kuvendi miratoi ligjin nr. 7501 "Për tokën", me propozim të qeverisë së kryeministrit Ylli Bufi. Toka e kooperativave u nda për frymë, jo sipas pronave të para luftës, dhe neni 2 i ligjit ndalonte shitjen dhe blerjen e saj. Ky ndalim zgjati deri në vitin 1995.

Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO), nga rreth 420 kooperativa dolën rreth 1.5 milionë parcela, me një mesatare prej rreth një hektari për familje. Shumica e fermerëve e morën tokën të shpërndarë në disa copa, larg njëra-tjetrës.

Një brez më vonë, situata nuk kishte ndryshuar. Sipas Ministrisë së Bujqësisë dhe Universitetit Bujqësor, në vitin 2011 ferma mesatare shqiptare kishte 1.26 hektarë, të ndarë në 4.7 parcela prej rreth 0.27 hektarësh secila. Strategjia e qeverisë për bujqësinë e vitit 2016 shkruan se 46 për qind e fermave kanë më pak se një hektar dhe 86 për qind më pak se dy.

Një fermë me katër copa toke të vogla nuk mund të përdorë traktor të madh, merr kredi me vështirësi dhe nuk konkurron dot me grurin që vjen me anije.

Hapi 2: Hiqu ujin dhe makinat

Toka pa ujë dhe pa makineri është vetëm tokë. Nëse do ta bëje bujqësinë të pamundur, do të shpërbëje stacionet e makinerive dhe do ta lije sistemin e ujitjes të kalbet.

Të dyja ndodhën. Sipas një studimi të OECD-së të vitit 1995, kooperativat u shpërbënë në mënyrë spontane mes prillit dhe shtatorit 1991. Stacionet e makinerive u privatizuan me rregulloren e 11 tetorit 1991, nën qeverinë Bufi, dhe deri në mars 1993 ishin shitur 5,350 traktorë. Fermat shtetërore u privatizuan nga gushti 1992, nën qeverinë e kryeministrit Aleksandër Meksi.

Me ujin ndodhi më keq. Në vitin 1991, sipas OECD-së, në Shqipëri ujiteshin 423,000 hektarë, rreth 60 për qind e tokës së punueshme. Në vitin 2009, sipas Bankës Botërore, nga 360,000 hektarë të pajisur me sistem ujitjeje, ujiteshin realisht vetëm 80,000.

Pas investimeve me kredi të huaja, sipërfaqja e ujitur u rrit në rreth 230,000 hektarë deri në vitin 2018. Por strategjia kombëtare e ujitjes, e miratuar nga qeveria e kryeministrit Edi Rama në maj 2019, shkruan se 410 nga 626 rezervuarët bujqësorë të vendit kanë probleme serioze teknike. Në dhjetor 2015, e njëjta qeveri ia kaloi rrjetin e ujitjes dhe kullimit 61 bashkive.

Hapi 3: Lëre betonin të mbulojë arat

Toka më e mirë bujqësore është zakonisht fushë, pranë rrugëve dhe qyteteve. Aty duan të ndërtojnë edhe njerëzit. Nëse do ta humbje atë tokë përgjithmonë, do të lejoje ndërtimin mbi të, dhe pastaj do ta ligjeroje.

Ligji nr. 9244 i vitit 2004, i miratuar nën qeverinë e kryeministrit Fatos Nano, e ndalon ndërtimin në tokën bujqësore, por me përjashtime. Dy vjet më vonë, më 3 prill 2006, nën qeverinë e kryeministrit Sali Berisha, Kuvendi miratoi ligjin nr. 9482 për legalizimin e ndërtimeve pa leje. Ligji përfshin edhe territoret bujqësore, dhe kur një ndërtim legalizohet, toka nën të kthehet në truall. Gjatë qeverisjes së kryeministrit Edi Rama, afati i ndërtimeve që mund të legalizohen u zgjat deri në 27 qershor 2014.

Sipas Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, nga viti 2006 deri në vitin 2020 u lëshuan 199,754 leje legalizimi. Sa prej tyre ndodhen mbi tokë bujqësore, askush nuk e di zyrtarisht. Ish-drejtori i Kadastrës, Artan Lame, ka vlerësuar se rreth 40,000 ndërtime të legalizuara ndodhen mbi tokë bujqësore, në rreth 1,200 hektarë. Ai ka pranuar se dosjet nuk e regjistrojnë këtë dallim.

As Ministria e Bujqësisë nuk ka një shifër të saktë. Sipas saj, toka bujqësore ka rënë nga 697,000 hektarë në vitin 1991 në 687,000 sot, një shifër që vetë ministria e quan "në verifikim". Eksperti i tokave Sherif Lushaj e vlerëson humbjen në rreth 34,000 hektarë që nga viti 1990.

Në vitin 2023, me propozim të qeverisë Rama, u ndryshua ligji për mbrojtjen e tokës bujqësore për të lejuar turbina me erë dhe panele diellore në disa kategori të saj. Ndërkohë, bregdeti po mbulohet me leje ndërtimi. Sipas një analize të portalit Citizens.al mbi 252 vendime të Këshillit Kombëtar të Territorit, të kryesuar nga kryeministri, nga viti 2015 deri në vitin 2026 u miratuan 5.49 milionë metra katrorë ndërtim në rreth 1,127 hektarë tokë bregdetare. 57 për qind e saj ndodhet në Vlorë dhe Himarë.

Hapi 4: Mos i paguaj fermerët, bukën merre nga jashtë

Asnjë fermer i vogël nuk mbjell grurë nëse gruri i huaj vjen më lirë se kostoja e tij. Vendet që duan të prodhojnë bukën e tyre i mbështesin fermerët. Nëse do ta bëje një vend të varur, do t'u jepje fermerëve aq pak sa të mos ia vlente të mbillnin.

Sipas një raporti të Drejtorisë së Bujqësisë të Komisionit Evropian, në vitet 2020–2021 Shqipëria u jepte fermerëve rreth 54 euro për hektar, ndërsa Bashkimi Evropian 363 euro. Mbështetja për bujqësinë ishte rreth 1.4 për qind e shpenzimeve publike, më e ulëta mes vendeve kandidate për anëtarësim.

Rezultati duket te gruri. Në vitin 1989, sipas OECD-së, Shqipëria prodhonte 613,000 tonë grurë. Në vitin 2023, sipas FAO-s, prodhonte rreth 233,000 tonë. Në vitin 2024, rreth 181,000. Në vitin 2025, sipas INSTAT, prodhimi ra edhe 10 për qind, në rreth 162,000 tonë. Sipas raportimit të Report TV, fermerët mbollën më pak sepse "nuk kishte treg".

Pjesa tjetër vjen me anije. Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara për tregtinë (UN Comtrade), në vitin 2023 Shqipëria importoi 189,673 tonë grurë:

  • Rusia: 69,555 tonë (36.7 për qind)
  • Serbia: 64,886 tonë (34.2 për qind)
  • Ukraina: 44,700 tonë (23.6 për qind)
  • Të tjerë: 10,533 tonë (5.5 për qind)

Në vitin 2024, Rusia dërgoi 117,924 tonë, 56 për qind e vlerës së të gjithë grurit të importuar. Përveç grurit, çdo vit importohen edhe 24,000 deri në 29,000 tonë miell, kryesisht nga Serbia dhe Greqia.

Sa nga buka e shqiptarëve prodhohet në Shqipëri? Nuk ka një shifër zyrtare. Llogaritja e E Vërtetës, që krahason prodhimin vendas me prodhimin plus importet e grurit dhe të miellit, jep rreth 51 për qind për vitin 2023 dhe rreth 43 për qind për vitin 2024. Me fjalë të tjera, rreth gjysma e bukës së shqiptarëve vjen nga jashtë, dhe furnizuesi më i madh është Rusia.

Hapi 5: Zbraz rezervat

Një vend i varur nga të tjerët ka një mbrojtje të fundit: rezervat e grurit dhe të karburantit, për ditët kur anijet nuk vijnë. Nëse do ta lije të pambrojtur, do të zbrazje magazinat.

Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) auditoi rezervat materiale të shtetit për vitet 2019–2022. Sipas gjetjeve të tij, të raportuara në tetor 2023, më 31 dhjetor 2022 sasia e grurit dhe e karburantit në magazinat e rezervave ishte zero. Sipas vendimit të qeverisë nr. 1128 të vitit 2008, në çdo kohë duhej të kishte të paktën 300 tonë grurë dhe 100,000 litra karburant.

Një nga bazat e rezervave, në Lundër, me 95,320 metra katrorë, iu kalua Fondit Shqiptar të Zhvillimit për një kompleks argëtimi dhe sporti. Qeveria e kryeministrit Edi Rama e miratoi këtë më 12 dhjetor 2022, gati tri javë para datës në të cilën, sipas KLSH, magazinat ishin bosh. Të dyja gjetjet janë në të njëjtin auditim.

Me karburantin, situata është e ngjashme. Sipas Komisionit Evropian, Shqipëria nuk mban rezerva strategjike nafte sipas rregullave evropiane, dhe operatorët privatë mbajnë rreth 30 ditë. Komisioni e vlerëson Shqipërinë vetëm 23 për qind në përputhje me rregullat për sigurinë e furnizimit me naftë.

Hapi 6: Shiti fabrikat, ose lëri të kalben

Një vend që përpunon lëndët e veta mban vendet e punës dhe vlerën brenda kufijve. Nëse do ta bëje eksportues lëndësh të para dhe importues mallrash të gatshme, do të shisje fabrikat me çmim të ulët, pa detyrime, ose do t'i lije të kalbeshin.

Me vendimin nr. 438 të 14 gushtit 1995, qeveria e kryeministrit Aleksandër Meksi nisi privatizimin masiv me vauçera, me 97 ndërmarrje. Vasi Pano, drejtor në Ministrinë e Ekonomisë Publike dhe Privatizimit, shkroi më vonë në një studim të botuar nga Banka e Shqipërisë se privatizimi masiv "u zbatua mbi bazën e një vendimi politik, pa marrë parasysh kushtet e nevojshme". Sipas të njëjtit studim, deri në vitin 1997 prodhimi industrial kishte rënë në 31 për qind të nivelit të vitit 1990.

Disa shembuj:

  • Azotiku i Fierit, uzina e plehrave kimike, me kapacitet 320,000 tonë në vitin 1989. Pas vitit 1991 u ndal. Në vitin 2011, Ministria e Ekonomisë, nën qeverinë Berisha, e nxori për shitje si skrap. Sipas dokumenteve të Agjencisë së Prokurimit Publik, të cituara nga Top Channel, fitues u shpall kompania Kurum International me rreth 24.6 milionë lekë. Më 22 korrik 2011, Agjencia e pezulloi procedurën pas ankesave dhe gjobiti zyrtarët e komisionit. Sipas raportimit, çmontimi vazhdoi.
  • Kombinati i Sheqerit në Maliq, që prodhonte që nga viti 1951, ndaloi në fillim të viteve '90 dhe nuk ka punuar më. Një plan ringjalljeje prej 42 milionë eurosh ngeci në vitin 2018.
  • Industria e tekstilit në Berat, që në vitet '80 punësonte mbi 10,000 veta, u mbyll pas vitit 1990. Ndërtesat e saj janë rrënoja.
  • Fabrika e sodës dhe PVC-së në Vlorë u mbyll në vitin 1992 dhe la pas, sipas organizatës mjedisore Arnika, tokë të helmuar me mërkur.
  • Profarma, prodhuesi shtetëror i barnave, u shit në gusht 2000, nën qeverinë e kryeministrit Ilir Meta: 88 për qind e aksioneve për 263.6 milionë lekë.
  • Industria e bakrit: në vitin 2001, po nën qeverinë Meta, minierat dhe uzinat e bakrit, përfshirë kompleksin e Rubikut, u dhanë me koncesion për 30 vjet, me një investim të parashikuar prej rreth 24.6 milionë dollarësh dhe pa asnjë detyrim për vende pune. Vetë Ministria e Infrastrukturës shkruante në vitin 2018 se uzinat "u dëmtuan nga mirëmbajtja e dobët gjatë periudhave të koncesionit". Shkritorja e Rubikut u shemb në vitet 2007–2008.
  • Kombinati Metalurgjik i Elbasanit: sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së, në vitin 1999 kompania turke Kürüm mori me qira 20-vjeçare prodhimin e çelikut. Sipas vetë kompanisë, privatizimi u përfundua në vitin 2009, nën qeverinë Berisha. Prodhimi i çelikut është ndalur në gusht 2024.
  • Kromi: minierat e Bulqizës dhe uzinat e ferrokromit u dhanë me koncesion në vitet 2000–2001. Në vitin 2016, nën qeverinë Rama, koncesioni u zgjat deri në vitin 2040. Në vitin 2021 ai kaloi te kompania turke Yildirim.

Hapi 7: Shite rafinerinë, eksporto naftën

Një vend që ka naftë dhe e përpunon vetë nuk varet nga të tjerët për naftën e makinave. Nëse do ta bëje të varur edhe këtu, do ta shisje rafinerinë, do ta lije të vdiste, dhe do ta eksportoje naftën bruto për ta blerë më pas të përpunuar.

Në vitin 2008, qeveria e kryeministrit Sali Berisha shiti 85 për qind të kompanisë shtetërore të rafinimit ARMO për rreth 128 milionë euro, sipas BIRN. Në gusht 2013, ARMO u rishit për 50 milionë euro një kompanie të regjistruar në Ishujt e Virgjër Britanikë, Heaney Assets Corporation. Sipas BIRN, deri në vitin 2014 borxhet e saj kishin kaluar 500 milionë dollarë.

Rafineria e Ballshit, më e madhja e vendit, u mbyll përfundimisht në vitin 2019, nën qeverinë Rama. Sipas raportimeve, 997 punëtorë mbetën pa pagë, dhe një vendim gjykate i vitit 2017 për pagat e prapambetura nuk është ekzekutuar. Rafineria u shit për 9 milionë euro nga një bankë kompanisë Shijaku, e cila po e çmonton për skrap. Më 11 janar 2023, qeveria e miratoi, pa tender, ndërtimin e një parku diellor 100 megavat mbi atë tokë, për 49 vjet.

Ndërkohë, nafta vazhdon të nxirret. Sipas të dhënave të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, të botuara nga ABC News:

  • 2014: u prodhuan 1,368,224 tonë naftë bruto; u eksportuan 1,057,137 tonë naftë bruto; u importuan 481,776 tonë karburant.
  • 2016: u prodhuan 1,055,755 tonë; u eksportuan 874,251 tonë; u importuan 507,369 tonë karburant.
  • 2019: u prodhuan 1,004,998 tonë; u eksportuan 631,474 tonë; u importuan 382,566 tonë karburant.
  • 2021: u eksportuan 756,988 tonë naftë bruto; u importuan 461,754 tonë karburant.

Në vitin 2025, sipas INSTAT, Shqipëria importoi 740,800 tonë karburant, 13 për qind më shumë se një vit më parë. Nafta bruto shqiptare shitet jashtë e papërpunuar, ndërsa karburanti për makinat blihet jashtë, me çmimin e tregut botëror.

Hapi 8: Lëre trenin të vdesë

Hekurudha lëviz mallra të rënda me kosto të ulët dhe pa u varur nga çmimi i naftës. Nëse do ta bëje vendin më të varur nga karburanti i importuar, do ta lije trenin të vdiste.

Shqipëria ka 447 kilometër hekurudhë. Sipas raportimeve të vitit 2026, vetëm 253 prej tyre janë në punë. Në vitin 2006 treni transportoi 1.6 milionë pasagjerë. Në vitin 2020, një vit pandemie, vetëm 18,000. Linja Tiranë–Durrës, që po rindërtohet me rreth 113 milionë euro kredi dhe grant evropian, duhej të mbaronte në vitin 2022. Tani pritet në vitin 2027.

Hapi 9: Bëje energjinë të varur

Shqipëria e prodhon pothuajse të gjithë energjinë elektrike nga uji. Nëse do ta bëje të varur edhe për dritën, do të shisje shpërndarjen, do ta bleje prapë me para publike, dhe do të ndërtoje një central rezervë që nuk punon.

Në tetor 2008, nën qeverinë Berisha, kompania çeke CEZ fitoi tenderin për 76 për qind të shpërndarjes së energjisë elektrike, për 102 milionë euro. Në janar 2013, Enti Rregullator i Energjisë ia hoqi licencën. Në vitin 2014, qeveria e kryeministrit Edi Rama arriti një marrëveshje me CEZ, sipas së cilës Shqipëria do t'i paguante kompanisë 100 milionë euro me këste deri në vitin 2018 dhe do të merrte prapë aksionet. Shteti e bleu, pra, prapë atë që kishte shitur, pothuajse me të njëjtin çmim.

Termocentrali i Vlorës, 97 megavat, u ndërtua për 130 milionë euro me kredi nga Banka Botërore dhe bankat evropiane, dhe përfundoi në tetor 2011. Sipas KESH, në janar 2012 një defekt në tubin e ujit të ftohësisë e nxori jashtë pune. Nuk ka punuar që atëherë.

Në vitin 2025, sipas INSTAT, prodhimi vendas i energjisë ra 4.7 për qind, ndërsa importet u rritën 26.5 për qind, në 3,375 gigavat-orë.

Çfarë nuk është politikë

Jo gjithçka në këtë listë është faj i një ligji apo i një qeverie. Një pjesë e madhe është histori që asnjë qeveri nuk e zgjodhi.

Industria socialiste ishte e vjetëruar. Pas ndërprerjes së ndihmës kineze në vitin 1978, fabrikat punonin me teknologji që nuk konkurronte dot në një treg të hapur. Kriza e skemave piramidale e vitit 1997 shkatërroi kursimet dhe fondet e privatizimit.

Emigrimi zbrazi fshatrat. Sipas INSTAT, mes viteve 2001 dhe 2011 Shqipëria humbi neto rreth 573,000 banorë nga emigrimi. Sipas regjistrimit të vitit 2023, popullsia ishte 2.4 milionë dhe 32.9 për qind e banesave ishin bosh. Toka pa njerëz braktiset edhe pa ndonjë ligj. Por nqs do të doje të shkatërroje një sistem funkional ferme, urbanizimi i shfrenuar eshte mënyra e duhur për ta bëre këtë

Nafta shqiptare është e rëndë dhe e kushtueshme për t'u përpunuar, dhe rafineritë ishin të vogla e të vjetra. Termocentrali i Vlorës doli jashtë pune nga një defekt teknik, jo nga një vendim politik. Dhe thatësirat, që po shtohen me ndryshimet klimatike, e detyrojnë Shqipërinë të importojë energji kushdo qoftë në qeveri.

Por asnjë nga këto shkaqe nuk shpjegon pse rezervat e grurit ishin zero, pse ujitja u la të kalbej për dy dekada, pse toka bujqësore u legalizua si truall pa u numëruar, apo pse një vend që nxjerr naftë nuk ka as rezervë të vetme nafte sipas standardeve evropiane. Këto ishin zgjedhje.

Kush e bëri

Nuk ishte një parti. Vendimet e përmendura në këtë shkrim u morën nga qeveri të të gjitha ngjyrave:

  • Ylli Bufi (1991): ligji 7501 për tokën; privatizimi i stacioneve të makinerive.
  • Aleksandër Meksi (1992–1997): privatizimi i fermave shtetërore; privatizimi masiv me vauçera (1995).
  • Ilir Meta (1999–2002): shitja e Profarmës (2000); koncesionet e bakrit dhe të kromit (2000–2001).
  • Fatos Nano (2002–2005): ligji 9244 (2004), që ndalon ndërtimin në tokë bujqësore, me përjashtime.
  • Sali Berisha (2005–2013): ligji 9482 për legalizimin (2006); shitja e ARMO (2008) dhe rishitja (2013); shitja e shpërndarjes së energjisë te CEZ (2008); Azotiku si skrap (2011).
  • Edi Rama (2013–sot): zgjatja e legalizimeve; ujitja te bashkitë (2015); koncesioni i kromit deri në 2040 (2016); mbyllja e Ballshit (2019) dhe parku diellor (2023); baza e Lundërs (2022); marrëveshja me CEZ (2014); vendimet për bregdetin (2015–2026).

Në shtator 2026, sipas projektligjit të raportuar nga media, qeveria i dërgoi Kuvendit një ligj për krijimin e rezervës së sigurisë së naftës: 90 ditë importe neto ose 61 ditë konsum, cilado që të jetë më e larta. Rezerva do të financohet me një tarifë të re prej 3 lekësh për çdo litër karburant. Shteti po ndërton tani, me paratë e qytetarëve, një pjesë të asaj që la të binte.

Kjo na kthen te pyetja e fillimit. Po të doje ta bëje Shqipërinë të varur nga të tjerët për bukën, për karburantin dhe për dritën, çfarë do të bëje ndryshe?

E Vërteta — aty ku e vërteta gjithmonë fiton.