> ## Content Index
> Fetch the complete content index at: https://everteta.net/llms.txt
> Use this file to discover other available public pages before exploring further.

# Numri i brishtë midis jetës dhe vdekjes
- URL: https://everteta.net/numri-i-brishte-midis-jetes-dhe-vdekjes/
- Published: 2026-09-23T22:21:40.000Z
- Updated: 2026-09-23T22:26:28.000Z
- Description: Sëmundjet e zemrës shkaktuan 52,9% të vdekjeve në Shqipëri në 2025. Historia e Alban-it dhe rregullat e reja për kolesterolin. kolesteroli · kalciumi koronar · skanimi i kalciumit · LDL kolesteroli · statinat · lipoproteina(a) · udhëzimet e reja për kolesterolin 2026 ·
- Author: Dorand Vojka
- Tags: Shendeti

*Kjo është një histori e vërtetë. Emri është ndryshuar.*

Në vitin 2025, sëmundjet e zemrës dhe të enëve të gjakut shkaktuan 52,9 për qind të vdekjeve në Shqipëri, sipas Institutit të Statistikave. Nga 21.394 njerëz që vdiqën atë vit, më shumë se gjysma humbën jetën nga ky grup sëmundjesh. Alban nuk e dinte se sëmundja që qëndron pas kësaj shifre kishte nisur tashmë në arteriet e tij.

Albani nuk dukej si njeri me zemër në rrezik. [Në moshën 45-vjeçare nuk ishte i shëndoshë. ](https://everteta.net/helmi-ne-tryeze-ushqimi-ne-shqiperi-ne-rrezik-kombetar/)Kishte pak bark, por jo shumë. Ishte i martuar, baba i dy fëmijëve, dhe punonte në zyrë. Një herë në vit shkonte te mjeku për kontrollin e zakonshëm, dëgjonte rezultatet dhe kthehej në punë. Nuk kishte asnjë shqetësim: as dhimbje në gjoks, as lodhje, as frymëmarrje të vështirë. Asgjë nuk i thoshte se diçka po ndodhte brenda tij.

Kolesterolin e lartë ia kishin gjetur në fund të të tridhjetave, në një nga ato kontrolle vjetore. LDL-ja, kolesteroli që mjekët e quajnë "i keq", i dilte ndërmjet 178 dhe 182 miligramë për decilitër, sipas Alban-it. Ai nuk bëri asgjë. Numri mbeti në letër dhe kaluan shtatë vjet.

## Numri i parë

Në moshën 45-vjeçare, mjeku i rekomandoi një test që Albani nuk e kishte dëgjuar më parë: skanimin e kalciumit koronar. Është një tomografi e shkurtër, pa kontrast, që mat kalciumin e depozituar në arteriet e zemrës. Ai kalcium është pjesa e ngurtësuar e pllakës aterosklerotike, e yndyrës që me vite ngjitet në muret e arterieve. Rezultati jepet me një numër. Zero do të thotë se nuk u gjet asnjë kalcium.

Alban mori 44.

Në sistemin standard të raportimit të këtij testi, një rezultat nga 1 deri në 99 klasifikohet si kalcifikim i lehtë, me rrezik lehtësisht të rritur. Nga 100 deri në 299 quhet i moderuar, dhe mbi 300 rreziku rritet më tej. Në letër, 44 dukej pak. Alban u kthye në shtëpi pa shumë shqetësim.

Por numri ka dy lexime. I pari është absolut. I dyti varet nga mosha.

Studimi Shumetnik i Aterosklerozës (MESA), një nga kohortat më të mëdha amerikane që ka ndjekur kalciumin koronar për dy dekada, ka matur se sa kalcium kanë njerëzit e shëndetshëm në çdo moshë. Te burrat nën 50 vjeç, mbi 90 për qind e atyre që kishin çfarëdo sasie kalciumi ndodheshin mbi përqindëshin e 75-të për moshën e tyre. Është pikërisht ai prag që udhëzimet amerikane përdorin për të shënuar rrezik të shtuar. Përqindëshi i saktë i Alban-it varet edhe nga origjina dhe nga faktorë të tjerë, por të dhënat e MESA-s tregojnë qartë drejtimin: në 45 vjeç, arteriet e tij me shumë gjasë kishin më shumë pllakë të ngurtësuar se shumica e burrave të moshës së tij.

## Pesë vjet pa trajtim

Alban hezitoi të fillonte statinat, barnat që ulin kolesterolin. Nuk kishte simptoma dhe rezultati klasifikohej si i lehtë.

Kërkimet e viteve të fundit kanë treguar se përfitimi nga statinat nuk është i njëjtë për të gjithë, dhe kalciumi koronar është një nga treguesit më të fortë të ndryshimit. Në një studim me 13.644 pacientë, të ndjekur mesatarisht për 9,4 vjet nga Mitchell dhe bashkautorët, trajtimi me statina u shoqërua me më pak ngjarje kardiovaskulare të rënda te pacientët që kishin kalcium në arterie, por jo te ata pa kalcium. Për të parandaluar një ngjarje të vetme në dhjetë vjet, duhej të trajtoheshin 3.571 njerëz me rezultat zero, ndërsa te ata me rezultat mbi 100 mjaftonin 12\. Alban, me 44, ndodhej mes këtyre dy skajeve, në anën ku kalciumi tashmë ishte i pranishëm.

Kaluan pesë vjet. LDL-ja mbeti rreth 180\. Alban nuk mori asnjë statinë.

## Numri i dytë

Në moshën 50-vjeçare, Albani e përsëriti skanimin. Rezultati: 82.

Në kategoritë standarde, 82 mbetet ende kalcifikim i lehtë. Por në pesë vjet, kalciumi në arteriet e tij ishte rritur me 38 njësi, pra me 86 për qind, rreth 13 për qind në vit. Rritja ndodhi pa asnjë trajtim për kolesterolin.

Në të dhënat e MESA-s, çdo dyfishim i rezultatit të kalciumit u shoqërua me një rritje prej 14 për qind të rrezikut relativ, kur faktorët e tjerë mbaheshin të njëjtë. Një studim i publikuar në mars 2026, mbi një regjistër të madh pacientësh që kishin bërë dy skanime, gjeti se te njerëzit që kishin tashmë kalcium dhe te të cilët ai u rrit me më shumë se 10 njësi, shkalla e ngjarjeve të rënda, si infarkti, goditja në tru, nevoja për rivaskularizim, pamjaftueshmëria e zemrës dhe vdekja, ishte afërsisht dyfish më e lartë gjatë rreth gjashtë vjetëve të ndjekjes, krahasuar me ata te të cilët kalciumi nuk u rrit. Te Albani, rritja ishte 38 njësi.

Këto janë mesatare të llogaritura mbi mijëra njerëz. Nuk i thonë Alban-it nëse apo kur do t'i ndodhë diçka. I thonë se sëmundja është e pranishme, se nisi më herët se te shumica e bashkëmoshatarëve të tij dhe se po përparon.

## Çfarë ndryshoi në Amerikë

Më 13 mars 2026, Kolegji Amerikan i Kardiologjisë dhe Shoqata Amerikane e Zemrës, së bashku me nëntë shoqata të tjera mjekësore, publikuan udhëzimin e ri për menaxhimin e dislipidemisë. Ai zëvendësoi udhëzimin e vitit 2018.

Ndryshimi më i dukshëm është rikthimi i objektivave numerikë për LDL-në. Për parandalimin e infarktit ose goditjes së parë në tru, objektivi është nën 100 miligramë për decilitër te njerëzit me rrezik kufitar ose të ndërmjetëm, dhe nën 70 te ata me rrezik të lartë. Te pacientët me sëmundje kardiovaskulare të njohur dhe rrezik shumë të lartë, objektivi është nën 55.

Udhëzimi i ri e rekomandon skanimin e kalciumit në mënyrë selektive, te burrat mbi 40 vjeç dhe te gratë mbi 45 me rrezik kufitar ose të ndërmjetëm, kur rezultati ndihmon në vendimin për statinat. Sipas udhëzimit, çdo sasi kalciumi mbështet një objektiv LDL nën 100, me objektiva më të ulët kur kalciumi është më i madh. LDL-ja e Alban-it, rreth 180, qëndron rreth 80 pikë mbi këtë kufi.

Udhëzimi rekomandon gjithashtu që çdo i rritur të matë të paktën një herë në jetë lipoproteinën(a), ose Lp(a), një grimcë yndyrore kryesisht e trashëguar që nuk ndikohet shumë nga dieta. Nivele të larta të saj, 125 nanomol për litër ose më shumë, lidhen me rreth 1,4 herë më shumë rrezik afatgjatë për infarkt ose goditje në tru. Lp(a) e Alban-it doli normale. Te ai, faktori i njohur është LDL-ja e lartë, e pakontrolluar për më shumë se një dekadë.

Për herë të parë, udhëzimi amerikan rekomandon që të gjithë [fëmijët nga 9 deri në 11 vjeç](https://everteta.net/kriza-e-fshehur-e-ushqimit-te-femijeve-ne-shqiperi/), që nuk janë testuar më parë, të kontrollojnë kolesterolin. Për risk-vlerësimin e të rriturve, ai zëvendëson llogaritësin e vjetër me një të ri, PREVENT, që jep rrezikun për 10 dhe 30 vjet. Kur statinat nuk mjaftojnë, udhëzimi lejon shtimin e ezetimibës, acidit bempedoik ose injeksioneve frenuese të PCSK9.

## Protokolli shqiptar

Në Shqipëri, mjeku i familjes udhëhiqet nga "Udhërrëfyesi Klinik për Kujdesin Shëndetësor Parësor: Dislipidemia", i datuar 2020 dhe i hartuar me mbështetjen e projektit "Shëndet për të Gjithë" të Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim. Protokolli i mjekimit që bazohet mbi të u miratua nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale më 18 mars 2022, me numër protokolli 1210/1\. Ky është dokumenti i kujdesit parësor. Kardiologët në spitale mund të ndjekin drejtpërdrejt udhëzimet evropiane.

Udhërrëfyesi thotë se është ndërtuar mbi udhëzimet e Shoqërisë Evropiane të Kardiologjisë dhe Shoqërisë Evropiane të Aterosklerozës të vitit 2019\. Për të vlerësuar rrezikun, ai përdor tabelat SCORE, që llogarisin rrezikun e një ngjarjeje kardiovaskulare fatale brenda dhjetë vjetëve. Në aneksin e tij, vetë dokumenti e rendit Shqipërinë mes vendeve me rrezik shumë të lartë, për të cilat tabelat mund ta nënvlerësojnë rrezikun.

Skanimi i kalciumit koronar nuk përmendet në udhërrëfyes. Dokumenti përmend trashësinë e murit të arteries karotide dhe pllakat karotide si faktorë rreziku, por jo testin që i dha Alban-it dy numrat e tij. Nëse Alban do të ishte ndjekur vetëm sipas këtij protokolli, 44-ta dhe 82-shi nuk do të kishin vend në tabelat e tij.

LDL-ja e Alban-it, 178 deri në 182, klasifikohet në udhërrëfyesin shqiptar si "nivel i lartë", në intervalin 160 deri në 189\. Mjekimi i menjëhershëm, pavarësisht rrezikut, nis nga 190\. Nën atë kufi, vendimi varet nga rezultati SCORE. Alban ndodhet pak nën vijën që protokolli ka vendosur.

Udhëzimi evropian i vitit 2019, mbi të cilin thotë se është ndërtuar dokumenti shqiptar, rekomandonte që matja e Lp(a) të merret parasysh të paktën një herë në jetën e çdo të rrituri. Udhërrëfyesi shqiptar nuk e përfshin këtë rekomandim. Lp(a) përmendet vetëm në aneks, si një nga faktorët që mund ta bëjnë rrezikun më të lartë nga sa tregojnë tabelat.

Dokumenti jep edhe dy objektiva të ndryshëm për të njëjtët pacientë. Në seksionin mbi synimet e trajtimit, për pacientët me rrezik shumë të lartë objektivi është LDL nën 70 ose një ulje prej të paktën 50 për qind, për rrezikun e lartë nën 100 dhe për rrezikun e moderuar nën 115\. Në seksionin e treguesve që përdoren për të monitoruar cilësinë e punës së mjekëve, objektivi për rrezikun shumë të lartë është nën 55 dhe për rrezikun e lartë nën 70.

Depistimi për dislipideminë në Shqipëri rekomandohet nga mosha 35 vjeç, përmes programit të kontrollit mjekësor "Si Je?", dhe përsëritet çdo pesë vjet. Te fëmijët, udhërrëfyesi rekomandon depistim nga mosha 9 deri në 11 vjeç vetëm kur ka histori familjare kolesteroli të lartë ose sëmundjeje të parakohshme të zemrës.

Vetë udhërrëfyesi shkruan se duhet të përditësohet brenda pesë vjetësh. E Vërteta nuk gjeti një version më të ri. Dokumenti citon një studim të vitit 2015 sipas të cilit prevalenca e dislipidemisë në Shqipëri ishte 58,6 për qind, dhe shton se nevojiten të dhëna më të përditësuara.

## Tri rregulla për të njëjtin njeri

Për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit, e njëjta analizë gjaku mund të lexohet në tri mënyra. Në Shtetet e Bashkuara, mjeku ndjek udhëzimin e marsit 2026\. Në vendet evropiane ku mjekët ndjekin udhëzimet e Shoqërisë Evropiane të Kardiologjisë, matja e Lp(a) një herë në jetë rekomandohet që nga viti 2019\. Në Shqipëri, mjeku i familjes ka para vetes protokollin e vitit 2020.

Një burrë 45-vjeçar me LDL rreth 180, pa simptoma, mund të dëgjojë në Nju Jork se objektivi i tij është nën 100 dhe se duhet të bëjë një skanim kalciumi. Në Tiranë, i njëjti burrë mund të dëgjojë se kolesteroli i tij është "i lartë" dhe se vendimi për barnat varet nga një tabelë rreziku. Asnjë nga të dy mjekët nuk e ka gabim sipas dokumentit që ka në dorë. Dokumentet janë të ndryshme.

Pyetjet që pacienti mund t'i bëjë mjekut të vet janë të njëjta kudo: cili është objektivi im për LDL-në dhe pse; a duhet ta mas Lp(a) të paktën një herë; a ka kuptim për mua një skanim kalciumi; dhe, nëse në familje ka kolesterol të lartë, kur duhet të testohen fëmijët.

## Mendimi i dytë

Alban ka vendosur të kërkojë një mendim të dytë mjekësor para se të vendosë për statinat. Nuk ka ende simptoma. Arteriet e tij kanë shënuar deri tani dy numra: 44 në moshën 45 vjeç dhe 82 në moshën 50.

*Ky shkrim ka qëllim informues dhe nuk zëvendëson këshillën e mjekut.*

*E Vërteta — aty ku e vërteta gjithmonë fiton.*