> ## Content Index
> Fetch the complete content index at: https://everteta.net/llms.txt
> Use this file to discover other available public pages before exploring further.

# Rënia e Jensen Huangut: një luftë në Uashington për Kinën, inteligjencën artificiale dhe Izraelin
- URL: https://everteta.net/renia-e-jensen-huangut-nje-lufte-ne-uashington-per-kinen-dhe-inteligjencen-artificiale-dhe-izraelin/
- Published: 2026-11-13T00:50:42.000Z
- Updated: 2026-11-13T12:57:10.000Z
- Description: Jensen Huang dha dorëheqjen nga Nvidia pas një skandali që nisi si dosje e inteligjencës amerikane për Kinën. E Vërteta rindërtoi si ra, kush fiton, dhe pse Izraeli, ku kompania mban një pjesë të madhe të rritjes ekonomike, del i ekspozuar.
- Author: Dorand Vojka

*Themeluesi i Nvidia-s u largua pas një skandali që nisi si dosje e inteligjencës amerikane për Kinën. Izraeli, ku kompania punëson rreth 6.000 njerëz dhe mban peshë të madhe në rritjen ekonomike, humbi mbrojtësin e saj më të fuqishëm.*

Jensen Huang, themeluesi dhe drejtori ekzekutiv i Nvidia-s, kompanisë që prodhon çipat mbi të cilët mbështetet pjesa më e madhe e industrisë botërore të inteligjencës artificiale, dha dorëheqjen, njoftoi kompania të enjten, më 12 nëntor. Sipas dokumentit të depozituar në Komisionin amerikan të Letrave me Vlerë, bordi e pranoi dorëheqjen një ditë më parë.

Drejtoresha financiare, Colette Kress, u emërua drejtuese ekzekutive e përkohshme. Harvey C. Jones u bë kryetari i parë i bordit i ndarë nga drejtori ekzekutiv.

Largimi i Huangut, i cili e drejtoi Nvidia-n që nga themelimi i saj, mbërriti në Izrael si lajm ekonomik. Kompania punëson atje rreth 6.000 njerëz, sipas gazetës ekonomike izraelite Globes, dhe ka në Izrael qendrën e saj më të madhe kërkimore jashtë Shteteve të Bashkuara. Huang ishte mbështetësi personal i zgjerimit të kompanisë në vend.

**Dy javët që rrëzuan Huang**

[Historia nuk nisi si skandal personal.](https://everteta.net/kush-e-kontrollon-boten/) Ajo nisi si dosje e inteligjencës amerikane.

Sipas The New York Times dhe Wall Street Journal, agjencitë amerikane kishin vënë nën përgjim të klasifikuar Alice Huang, ish-drejtuese e kompanisë singaporiane Megaspeed, e cila në vitin 2025 u hetua nga Shtetet e Bashkuara dhe Singapori për eksporte çipash. Sipas raportimeve, Jensen Huang u kap në këtë përgjim. Presidenti Donald Trump u informua për këtë rreth një vit më parë dhe nuk ndërmori veprime.

Në pranverën e vitit 2026, sipas The New York Times, që citon persona të informuar për çështjen, qarkulloi një memorandum i klasifikuar që e identifikonte Alice Huang si agjente të Ministrisë së Sigurisë Shtetërore të Kinës. Hartimi i tij, sipas raportimeve, u mbikëqyr nga sekretari i Shtetit Marco Rubio. Më 12 maj, Rubio e informoi sërish Trumpin, në bordin e avionit presidencial. E Vërteta nuk gjeti asnjë deklaratë publike të Alice Huang për këto akuza.

Një ditë më pas, më 13 maj, firma Culper Research, e cila deklaroi se kishte bërë baste kundër aksioneve të Nvidia-s, publikoi një raport që e përshkruante marrëdhënien e Jensen Huangut me Alice Huang si "shqetësuese nga afër". Raporti nuk akuzonte as për lidhje intime, as për spiunazh.

The New York Times e publikoi historinë më 29 tetor. Një zëdhënës i Nvidia-s deklaroi atëherë se ndërveprimet e Huangut me zonjën Huang "nuk janë të pazakonta apo të papritura". Më 30 tetor, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Guo Jiakun, i quajti raportimet "asgjë më shumë se një përpjekje për të njollosur Kinën". Më 31 tetor, Wall Street Journal ia atribuoi dyshimet zyrtarëve të inteligjencës amerikane, singaporiane dhe tajvaneze.

Më 5 nëntor, tre kryetarë republikanë komisionesh në Dhomën e Përfaqësuesve, John Moolenaar, Brian Mast dhe Rick Crawford, i kërkuan Huangut një seancë informimi me dyer të mbyllura. Më 6 nëntor, The New York Times raportoi se Alice Huang ishte rekrutuar nga Ministria e Sigurisë Shtetërore e Kinës.

Më 8 nëntor, Huang u shkroi punonjësve: "I kam qenë i pabesë gruas sime. Nuk ka asnjë justifikim për atë që bëra. Më vjen shumë keq." Bordi njoftoi një hetim të pavarur, por deklaroi se "nuk kishte arsye të besonte" se ishin komprometuar siguria kombëtare apo sekretet e kompanisë. Të nesërmen, Trump e mbrojti publikisht: "Vërtet i besoj."

Më 10 nëntor, bordi angazhoi Joon H. Kim, ish-prokuror federal në detyrë në Nju Jork, nga firma ligjore Wachtell, Lipton, Rosen & Katz, për të drejtuar hetimin.

Më 11 nëntor, The New York Times raportoi, duke cituar pesë persona që kishin punuar në Nvidia, për një marrëdhënie të Huangut me një drejtuese të lartë të kompanisë që raportonte drejtpërdrejt tek ai. Sipas gazetës, ekzistonte një video e filmuar në mars gjatë një konference të kompanisë, dhe personit që e filmoi iu ofrua një marrëveshje konfidencialiteti. Po atë ditë, Wall Street Journal raportoi se bordi po përgatitej ta largonte Huangut. Bordi e pranoi dorëheqjen po atë ditë.

Dokumentet tregojnë kush e çoi përpara çështjen: zyrtarët e inteligjencës që ua dhanë informacionin gazetave, kryetarët republikanë të komisioneve në Kongres, punonjësit e Nvidia-s që folën për marrëdhënien me drejtuesen, dhe bordi.

Sipas The New York Times, disa zyrtarë ishin të shqetësuar për ndikimin e Huangut mbi politikën e butë të Trumpit ndaj inteligjencës artificiale. Ky është i vetmi motiv i dokumentuar pranë rrjedhjes së informacionit.

Huang ishte kundërshtari më i fuqishëm i industrisë ndaj kufizimeve të eksportit të çipave drejt Kinës. Sipas Reuters, që citon një ish-punonjës të Kongresit, Nvidia ishte kundërshtarja kryesore e dy projektligjeve për kontrollin e çipave, mes tyre një projektligj i kongresmenit Mast. Në anën tjetër qëndronin këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për inteligjencën artificiale David Sacks dhe vetë Trump, i cili e mbrojti Huangun deri më 8 nëntor.

Dy pyetje mbeten pa përgjigje. E para: kush vendosi ta rrjedhë informacionin e inteligjencës për Alice Huang në fund të tetorit, një vit pasi Trump ishte informuar, dhe pse atëherë? E dyta: kush e filmoi videon e marsit dhe si mbërriti ajo te gazeta? Asnjë burim nuk e identifikon.

**Dosja që priti një vit: si doli në shtyp akuza që rrëzoi Jensen Huangun**

*Inteligjenca amerikane e kishte dosjen për Alice Huang të paktën një vit. Presidenti ishte informuar dy herë. Asgjë nuk ndodhi, derisa një memorandum i klasifikuar doli në shtyp në fund të tetorit. Nëntë ditë pasi doli rrëfimi i parë, Huang u largua nga Nvidia. Tani prokurori i përgjithshëm thotë se akuza nuk është provuar, dhe askush nuk po heton kush e nxori dosjen.*

Për të paktën një vit, qeveria amerikane e dinte se Jensen Huang, themeluesi i Nvidia-s, kishte një marrëdhënie të ngushtë me Alice Huang, një sipërmarrëse kineze që agjencitë e inteligjencës e kishin nën përgjim. Presidenti Donald Trump u informua në vjeshtën e vitit 2025 dhe përsëri në maj 2026\. Në asnjërin rast nuk pasoi ndonjë veprim publik.

Më 29 tetor, rrëfimi doli në The New York Times, i bazuar në burime anonime dhe në përmbajtjen e një memorandumi të klasifikuar. Më 12 nëntor, Nvidia njoftoi dorëheqjen e Huangut.

Një rindërtim i E Vërtetës i ngjarjeve, i bazuar në raportimet e The New York Times, Wall Street Journal, CNN, Politico, dokumentet e Nvidia-s pranë Komisionit amerikan të Letrave me Vlerë dhe deklaratat zyrtare, tregon një dosje që qëndroi në duart e qeverisë pa pasoja për muaj të tërë, dhe një rrjedhje informacioni për të cilën nuk është raportuar asnjë hetim.

Të enjten, prokurori i përgjithshëm Todd Blanche deklaroi se nuk është arritur "asnjë përfundim nga Departamenti i Drejtësisë, nga unë apo nga drejtori \[i FBI-së\] Patel" nëse Alice Huang ishte apo jo agjente e Kinës, sipas CNN. Trump tha po atë ditë se nuk e dinte "nëse është përcaktuar ende".

Sipas CNN, departamentet e Drejtësisë dhe të Tregtisë nisën në vitin 2024 një hetim ndaj Megaspeed, një kompanie me seli në Singapor ku Alice Huang ishte drejtuese dhe që blinte sasi të mëdha çipash të Nvidia-s. Hetimi ishte pjesë e një hetimi më të gjerë mbi kompani guaskë të dyshuara se i devijonin drejt Kinës çipat e ndaluar për eksport.

Sipas The New York Times, agjencitë amerikane e vunë Alice Huang nën përgjim të klasifikuar dhe Jensen Huang u kap në këtë përgjim. Trump u informua rreth një vit më parë.

Në pranverën e vitit 2026, sekretari i Shtetit dhe këshilltari për sigurinë kombëtare Marco Rubio paralajmëroi për marrëdhënien në një memorandum, sipas CNN dhe The New York Times. Më 12 maj, Rubio e informoi Trumpin për çështjen në bordin e avionit presidencial gjatë udhëtimit në Kinë. Sipas CNN, Jensen Huang iu bashkua Trumpit në Alaskë për etapën e fundit të atij udhëtimi.

Edhe pas informimit, Huang mbeti pranë presidentit. Trump vazhdoi ta mbështeste politikën e butë të eksportit të çipave që Huang mbronte.

**Ekspozimi i Izraelit**

[Nvidia hyri në Izrael përmes blerjes së kompanisë izraelite Mellanox.](https://everteta.net/a-po-e-con-ai-boten-drejt-shkaterrimit/) Sot ajo zhvillon në vend një pjesë të madhe të teknologjisë së rrjeteve që lidh çipat e saj në qendrat e të dhënave. Sipas Globes, biznesi i rrjeteve "i menaxhuar nga Izraeli" solli 17,5 miliardë dollarë nga 96,2 miliardë dollarë të ardhura të kompanisë në tremujorin e dytë fiskal. Nvidia nuk publikon të ardhurat sipas vendit.

Sipas Globes, që citon dokumentet e kompanisë pranë autoriteteve amerikane, Nvidia pagoi rreth 1,28 miliardë dollarë taksa në Izrael në vitin 2025.

Ekonomisti Alex Zabezhinsky i firmës Meitav vlerëson se rritja ekonomike e Izraelit në vitin 2025 do të kishte qenë 1,6 për qind në vend të 2,9 për qind pa aktivitetin e Nvidia-s. Ekonomistët e cituar nga shtypi izraelit theksojnë se kjo rritje vjen kryesisht nga pronësia intelektuale e kompanisë e regjistruar në Izrael, jo nga aktiviteti i brendshëm.

Banka e Izraelit e ka pranuar këtë dallim. Në tetor 2026, ajo publikoi për herë të parë dy shifra për rritjen e vitit 2026: 5,6 për qind me "prodhimin jashtë vendit" dhe 3,4 për qind pa të. Guvernatori Amir Yaron tha se shifra më e ulët "përfaqëson më mirë aktivitetin ekonomik". Sipas bankës, ky prodhim, që shtypi izraelit e lidh me efektin e Nvidia-s, përbënte 3,5 për qind të prodhimit të brendshëm bruto në vitin 2025 dhe 5,8 për qind në tremujorin e dytë të 2026-s.

Shteti ka bërë përpjekje për ta mbajtur kompaninë. Për kampusin e planifikuar në Kiryat Tivon, ku mund të punojnë deri në 10.000 njerëz, rreth 90 dynymë tokë u ndanë pa tender publik, me një zbritje të raportuar prej 51 për qind, sipas Globes. Meqë Nvidia kontrollohet nga jashtë, ndarja kërkoi miratimin e ministrave të Mbrojtjes dhe të Jashtëm, sipas Ynet. Bashkia përgjysmoi taksën vendore të biznesit për kompaninë.

Kryeministri Benjamin Netanyahu ka deklaruar se synon ta bëjë Izraelin "vendin e tretë në botë" në inteligjencën artificiale. Në qershor 2026 tha: "Do ta kthejmë Izraelin në superfuqi globale të inteligjencës artificiale." Zévendësimi i Huang do të tregojë së kush përfiton prej largimit të ti. 

 **Finlanda?**

Ekonomistët izraelitë e kanë krahasuar situatën me atë të Finlandës dhe Nokia-s.

Sipas Institutit të Kërkimeve të Ekonomisë Finlandeze, në vitin 2000 Nokia përbënte rreth 4 për qind të prodhimit të brendshëm bruto të Finlandës dhe i shtoi rreth 2,5 pikë përqindjeje një rritjeje prej rreth 5 për qind. Në vitin 2009, sipas një raporti të të njëjtit institut, Nokia shkaktoi gati një të tretën e rënies prej mbi 8 për qind të ekonomisë finlandeze. Banka e Finlandës e ka shpjeguar recesionin e viteve 2009–2014 me goditje në disa sektorë njëkohësisht, jo vetëm me Nokia-n. Instituti finlandez nxori një mësim: "është e nevojshme të kesh më shumë se një fortesë".

Sipas vlerësimit të E Vërtetës, pesha është e ngjashme, por mekanizmi është i ndryshëm. Nokia ishte kompani finlandeze që humbi tregun e saj. Nvidia është kompani amerikane që nuk prodhon çipa në Izrael. Rreziku për Izraelin nuk është dështimi i një produkti, por vendime që merren në Kaliforni: ku regjistrohet pronësia intelektuale, ku ndërtohen qendrat e reja, kush e drejton kompaninë.

Izraeli e ka përjetuar këtë më parë. Në vitin 2023, Intel përbënte gati 6 për qind të eksporteve teknologjike të vendit dhe 1,75 për qind të prodhimit të brendshëm bruto, sipas Globes. Në dhjetor 2023, qeveria i dha kompanisë një grant prej 3,2 miliardë dollarësh për zgjerimin e fabrikës në Kiryat Gat. Në korrik 2024, Intel e ndali ndërtimin. Numri i punonjësve të saj në Izrael ra nga rreth 12.000 në rreth 10.000\. Shumë prej tyre u punësuan nga kompani të tjera, përfshirë Nvidia-n.

Nvidia publikon rezultatet e tremujorit të tretë më 17 nëntor.

Kompania nuk ka emëruar kandidatë për pasardhës. Sipas The Information, kërkuesit e drejtuesve "mund të" shqyrtojnë Lisa Su, drejtoreshën ekzekutive të AMD-së, dhe Rene Haas të Arm-it. Shtypi izraelit ka përmendur drejtorin teknologjik të Nvidia-s, Michael Kagan, bashkëthemelues i Mellanox-it. Sipas Haaretz, diskutohet edhe Johny Srouji, drejtori i harduerit i Apple-it.

Nvidia nuk ka njoftuar asnjë ndryshim në operacionet e saj në Izrael. Kush do ta drejtojë kompaninë, dhe nëse do ta mbajë Izraelin në qendër të zgjerimit të saj, janë vendime që do të merren në Kaliforni.

*E Vërteta — aty ku e vërteta gjithmonë fiton.*