Si u godit rrjeti elektrik gjerman nga sulme terroriste
RAKETA FISHEKZJARRESH KUNDËR NJË LINJE 380 KILOVOLTËSH: SI U GODIT RRJETI GJERMAN, DHE PSE ASKUSH NUK DI TË THOTË KUSH E BËRI
RAKETA FISHEKZJARRESH KUNDËR NJË LINJE 380 KILOVOLTËSH: SI U GODIT RRJETI GJERMAN, DHE PSE ASKUSH NUK DI TË THOTË KUSH E BËRI
Të martën në orën tetë të mëngjesit, policia e Brandenburgut mori një njoftim rutinë: dëmtim i mundshëm i një linje elektrike në nënstacionin Turnow-Preilack, në jug të landit. Ajo që gjetën në terren nuk ishte rutinë.
Nëpër tokën e nënstacionit ndodheshin dhjetëra pajisje shpërthyese dhe zjarrvënëse të prodhuara në shtëpi. Ekipet e çminimit u thirrën menjëherë. Zyra Krahinore e Policisë Kriminale, LKA, mori hetimin. Dhe deri në pasdite, kur qeveria e landit doli para gazetarëve, numri i pajisjeve të gjetura kishte kaluar në dyshifror — dhe vazhdonte të rritej ndërsa kërkimi ishte ende në zhvillim.
Ministri i Brendshëm i Brandenburgut, Jan Redmann, e përmblodhi me një fjali që u bë titull: “Kjo nuk ishte një shaka fëmijësh”
Fjala që qarkulloi menjëherë nëpër botë ishte “raketa”. Ajo kërkon saktësim, dhe operatori i rrjetit e ka dhënë vetë.
Sipas 50Hertz — kompania që administron rrjetin e transmetimit në lindje të Gjermanisë — bëhej fjalë për fluturues në formën e raketave të fishekzjarreve të Vitit të Ri, të ndërtuara vetë. Në vendngjarje u gjetën edhe të tjera, ende të palëshuara.
Domethënë: jo armë ushtarake. Fishekzjarre të modifikuara.
Dhe pikërisht kjo është pjesa që duhet kuptuar, sepse metoda ishte e zgjuar në mënyrë shqetësuese. Qëllimi nuk ishte të shpërthenin diçka. Qëllimi ishte të hidhnin material përcjellës mbi linjën e tensionit të lartë — të krijonin një lidhje të shkurtër.
Ministri Redmann e konfirmoi se ajo pjesërisht funksionoi: “Në dy raste është arritur të futet material përcjellës në linjën e tensionit shumë të lartë.” Në disa raste të tjera, tha ai, kjo fatmirësisht nuk u arrit.
Pasoja nuk ishte një errësirë e madhe. Furnizimi i përgjithshëm me energji nuk u ndërpre, dhe 50Hertz raportoi vetëm një ndërprerje të shkurtër linje. Por kompania energjetike LEAG konfirmoi se incidenti shkaktoi një defekt teknik në Bllokun B të termocentralit Jänschwalde — një njësi prodhuese doli nga funksionimi.
Askush nuk u lëndua. Territori mbetet i rrethuar.
Nënstacioni Turnow-Preilack ndodhet rreth pesë kilometra në veri të termocentralit me linjit Jänschwalde, në rrethin Spree-Neiße. Përmes tij, termocentrali e hedh energjinë e vet në rrjetin e transmetimit të 50Hertz — në rrjetin prej 380 kilovoltësh — nga ku ajo shpërndahet rajonalisht dhe ndërrajonalisht.
Jänschwalde është termocentrali më i madh i Brandenburgut dhe një nga më të mëdhenjtë konvencionalë në Gjermani.
Kush sulmon linjat në atë pikë nuk po dëmton një gardh industrial çfarëdo. Ai po godet një nyjë të furnizimit me energji të një prej ekonomive më të mëdha të botës — dhe po e bën me fishekzjarre.
Nuk ka asnjë letër përgjegjësie. Nuk ka asnjë motiv të deklaruar. Redmann tha se hetimet po zhvillohen “në të gjitha drejtimet”.
Dhe pikërisht këtu nis pjesa më interesante e kësaj historie, sepse reagimi i parë i shumicës — brenda dhe jashtë Gjermanisë — ishte të mendonte për Moskën. Arsyet nuk janë të pabaza.
Sipas një raporti të ARD-së, Zyra Federale e Policisë Kriminale, BKA, regjistroi treqind e njëzet e një raste sabotazhi kundër infrastrukturës kritike gjatë vitit 2025, disa prej të cilave janë lidhur me ndërhyrje ruse. Në javët e para të vitit 2026 u shtuan të tjera, mes tyre një nënstacion transformatorësh dhe një turbinë me erë.
Në janar 2026, Parlamenti gjerman miratoi një ligj për mbrojtjen e infrastrukturës kritike. Ministri i Brendshëm federal, Alexander Dobrindt, e argumentoi me një formulim që u citua kudo: “Gjermania nuk është në luftë, por ne jemi objektiv i luftës hibride — sabotazh, spiunazh, agresion nga fuqi të huaja, terrorizëm.”
Një dokument i klasifikuar i Ministrisë gjermane të Mbrojtjes, i njohur si “Plani Operacional Gjermani” dhe i siguruar nga Bloomberg, paralajmëron se meqë Berlini është nyja kryesore logjistike e NATO-s në Evropë, ai pret të jetë ndër objektivat e parë të operacioneve hibride ruse — dhe se sabotazhi dhe dezinformimi mund të jenë faza e parë e një konflikti më të gjerë. Presidenti i shërbimit të jashtëm të inteligjencës, BND, Martin Jäger, u tha ligjvënësve se Rusia është e vendosur t’i testojë kufijtë evropianë dhe mund të përshkallëzojë drejt një “përballjeje të nxehtë” në çdo moment.
Të gjitha këto janë të vërteta. Dhe të gjitha, në këtë rast konkret, mund të mos kenë asnjë lidhje.
JANARI I BERLINIT
Sepse ekziston një precedent shumë më i afërt, shumë më i ngjashëm, dhe i rrëfyer me emër.
Në janar 2026, grupi ekstremist i majtë “Vulkangruppe” sulmoi me mjete zjarrvënëse një urë kabllore mbi kanalin Teltow në Berlin-Lichterfelde. Pesë kabllo të tensionit të lartë dhe dhjetë të tensionit të mesëm u shkatërruan ose u dëmtuan.
Rreth dyzet e pesë mijë familje dhe dy mijë e dyqind biznese në jugperëndim të Berlinit mbetën pa energji në mes të dimrit. Tridhjetë e pesë mijë familje qëndruan pa rrymë për gati një javë. Ishte ndërprerja më e gjatë e energjisë në Berlin që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.
Grupi mori përgjegjësinë me një letër publike, duke e cilësuar veprimin si luftë kundër “ekonomisë fosile të energjisë”. Në praktikë, ai goditi familje, pensionistë dhe njerëz që varen nga pajisjet mjekësore elektrike.
Tetë muaj më vonë, objektivi është nënstacioni i një termocentrali me linjit — pikërisht simboli i “ekonomisë fosile”. Në të njëjtin land. Me mjete të improvizuara. Pa pajisje ushtarake.
Kjo nuk do të thotë se autorët janë të njëjtët. Nuk ka asnjë dëshmi për këtë, dhe hetimi sapo ka nisur. Por do të thotë se ky objektiv përshtatet në dy profile krejt të ndryshme njëkohësisht — dhe kjo është ajo që e bën atë të pazakontë.
Një kabëll i prerë në Detin Baltik nuk lë vend për dyshim. Një nënstacion që ushqen një termocentral qymyri në Brandenburg, po.
Dhe ambiguiteti, në luftën hibride, nuk është një dobësi e sulmit. Ai është vetë sulmi. Sepse një shtet që nuk mund të atribuojë një sulm nuk mund ta parandalojë të ardhshmin.
Ka edhe një mësim teknik në këtë ngjarje, dhe ai është shqetësues për çdo vend, jo vetëm për Gjermaninë.
Pajisjet nuk ishin raketa ushtarake. Ishin fishekzjarre të modifikuara — të blerë, me shumë gjasë, në një dyqan. Kushtoni disa qindra euro. Dhe ato nxorën jashtë funksionit një bllok të termocentralit më të madh të Brandenburgut.
Rrjeti gjerman konsiderohet ndër më të besueshmit në botë: mesatarja e ndërprerjeve është vetëm njëmbëdhjetë minuta e shtatë sekonda në vit. Pikërisht kjo e bën rrezikun të nënvlerësohet. Statistikat mbrojnë nga defektet, jo nga sulmet e qëllimshme.
Dhe një problem tjetër është bërë i dukshëm: pikat kritike të rrjetit janë të dukshme në internet. Harta publike tregojnë transformatorë, linja transmetimi dhe nyje rrjeti — detaje që dikur konsideroheshin të ndjeshme. Kush do të zgjedhë një objektiv, mund ta bëjë me disa klikime.
Dhe brenda pak orësh, ngjarja kishte prodhuar tashmë pasojën e vet politike.
Kerstin Andreae, drejtuese e Federatës Gjermane të Industrisë së Energjisë dhe Ujit (BDEW), deklaroi se incidenti “tregon sërish se sa reale është kërcënimi për infrastrukturën tonë energjetike”. Deri këtu, e pakontestueshme.
Por federata e përdori rastin edhe për diçka tjetër: për të paralajmëruar kundër detyrimeve të reja të transparencës dhe të publikimit të të dhënave që qeveria federale po përgatit me ligj. “Informacionet dhe planet e detajuara për infrastrukturat kritike nuk duhet të jenë lirshëm të aksesueshme për sulmues të mundshëm,” tha Andreae. Federata kërkoi gjithashtu përshtatjen e rregullave të mbrojtjes së të dhënave, në mënyrë që edhe hapësirat publike ngjitur me objektet të mund të survejohen me kamera.
Domethënë: një sulm mbi rrjetin u shndërrua, brenda një dite, në një argument për më pak informacion publik mbi rrjetin.
Ky nuk është domosdoshmërisht një argument i gabuar. Nëse hartat e nyjeve kritike janë vërtet të lira në internet, dikush duhet ta shtrojë pyetjen. Por vlen të vërehet se sa shpejt një ngjarje sigurie prodhon një kërkesë për më pak transparencë dhe më shumë survejim — dhe se kush e bën atë kërkesë.
Deri tani dihet kjo: dikush ndërtoi dhjetëra pajisje të improvizuara, i çoi te një nyje e rrjetit të tensionit shumë të lartë, i lëshoi, dhe në dy raste ia doli. Një bllok i një termocentrali doli nga puna. Askush nuk mori përgjegjësinë. Hetimi po ecën “në të gjitha drejtimet”.
Dhe ndërkohë, në Evropë, numërimi vazhdon. Vetëm në vitin 2024, sipas Eurelectric, të paktën njëmbëdhjetë sulme dëmtuan infrastrukturën kritike evropiane, ndërsa që nga viti 2022 janë regjistruar njëzet e tre sulme kibernetike ndaj sektorit energjetik.
Në indeksin e Sigurisë të Mynihut për vitin 2026, Gjermania ka rezultatin më të lartë të rrezikut mes vendeve të G7-ës: shtatëdhjetë e pesë nga njëqind. Tridhjetë e nëntë për qind e të anketuarve ndihen të papërgatitur.
Rrjeti elektrik është infrastruktura e vetme mbi të cilën varen të gjitha të tjerat — spitalet, uji, telekomunikacioni, transporti, pagesat. Dhe e martën në mëngjes u vërtetua se për ta prekur atë nuk duhet një shtet, as një ushtri, as një teknologji e sofistikuar.
Mjaftojnë disa fishekzjarre, pak material përcjellës, dhe dikush që e di se ku ndodhet nyja.
E Vërteta — aty ku e vërteta gjithmonë fiton.