> ## Content Index
> Fetch the complete content index at: https://everteta.net/llms.txt
> Use this file to discover other available public pages before exploring further.

# Nga Varshava te Musk dhe brenda bisedave private të miliarderëve: si një llogari me lajme të rreme u bë pjesë e "PR-it Izraelit"
- URL: https://everteta.net/visegrad24-dokumente-sandberg-ackman-propaganda-izrael/
- Published: 2026-11-19T21:12:34.000Z
- Updated: 2026-11-19T21:13:29.000Z
- Description: Dokumente të publikuara nga Wired tregojnë se themeluesi i Visegrad24 e zgjodhi anën e Izraelit për të mbledhur para dhe mori mbi një milion dollarë nga donatorë amerikanë. Në një grup të mbyllur ku ai thotë se u ftua bëjnë pjesë Sheryl Sandberg, Bill Ackman dhe David Marcus.
- Author: Dorand Vojka
- Tags: ShBA, Lindja e Mesme

*Dokumente të rrjedhura, të publikuara nga revista Wired, tregojnë se themeluesi i Visegrad24 e zgjodhi anën e Izraelit për të mbledhur para, u fut në grupe të mbyllura investitorësh amerikanë dhe mori mbi një milion dollarë. Në njërin nga grupet ku ai thotë se u ftua bëjnë pjesë Sheryl Sandberg, Bill Ackman dhe David Marcus.*

Një llogari poloneze në rrjetin X, e njohur për përmbajtje kundër myslimanëve dhe emigrantëve dhe për pretendime të rreme, mori mbi një milion dollarë nga donatorë amerikanë pasi vendosi të mbështeste Izraelin, sipas dokumenteve të brendshme të publikuara të enjten nga revista amerikane Wired.

Hetimi i gazetarit James Jackson mbështetet në regjistra financiarë, mesazhe private dhe pamje ekrani nga grupe të mbyllura bisedash, ku investitorë të Silicon Valley-t bashkërendonin mbështetjen për Izraelin pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023.

Themeluesi i llogarisë Visegrad24, Stefan Tompson, u shkroi kolegëve se ishte ftuar në një grup të quajtur "Builders for Israel". Sipas një buletini të medias Puck, të cituar nga Wired, ky grup në WhatsApp mbledh "qindra nga figurat më të fuqishme të Silicon Valley-t, Wall Street-it dhe Hollywood-it" dhe përfshin ish-drejtuesen e Facebook-ut Sheryl Sandberg, miliarderin e fondeve spekulative Bill Ackman dhe sipërmarrësin e teknologjisë David Marcus.

Tompson i mohoi gjetjet e Wired-it përmes një avokati.

**"Qëllimi im është të mbledh para nga kjo"**

Kur nisi lufta në Gaza, llogaria ishte rreth tre vjeçare. Brenda tri ditësh publikoi gati 400 postime për sulmet, të cilat u panë 370 milionë herë, sipas Wired.

Zgjedhja e anës ishte llogari biznesi, sipas mesazheve të vetë Tompsonit. Ai renditi katër mundësi. Për njërën shkroi: "Pro Izraelit — janë më pak, por kanë shumë ndikim dhe para."

"Qëllimi im është të mbledh para nga kjo," shkroi ai.

Një kolegu i dha udhëzimin për të kërkuar fonde edhe në Arabinë Saudite dhe në Emirate, sipas Wired: "Unë merrem me anën hebreje. Ti merru me arabët."

[Në fund të nëntorit 2023, Tompson i shkroi një kolegu, të identifikuar nga Wired vetëm si Boris, se ishte futur në dy grupe bisedash të investitorëve.](https://everteta.net/spiunazhi-izraelit-dhe-shqiperia/)

"Kapitalistët hebrenj të sipërmarrjes kanë krijuar një grup. Disa. Unë jam në dy nga ato grupe, që u kundërvihen aktivisht themeluesve që kanë mbështetur Palestinën," shkroi ai. Njërin e përshkroi kështu: "85 veta. 84 hebrenj dhe unë."

Në njërin grup, Shaun Maguire, partner në fondin Sequoia Capital, ua rekomandoi llogarinë anëtarëve: "Stefan / Visegrad është llogari e jashtëzakonshme, nëse nuk e ndiqni tashmë." Privatisht i shkroi Tompsonit: "Do të të jap 25 mijë dollarë dhe do të përpiqem të mbledh pjesën tjetër."

Maguire i tha Wired-it se në fund nuk dhuroi. "Do të kisha dashur shumë t'i dhuroja Visegradit, sepse mendoj se përmbajtja e tyre është e shkëlqyer, por nuk munda për arsye rregullatore," tha ai.

Për grupin tjetër, Tompson i dërgoi Borisit në dhjetor 2023 një pamje ekrani të buletinit të Puck-ut, me emrat e Sandbergut, Ackmanit dhe Marcusit, të rrethuar me të kuqe. "Dhe Stefan Tompson," iu përgjigj Boris, me një emoji që qesh.

Anëtarët nisën t'i drejtoheshin drejtpërdrejt, sipas Tompsonit. "Zakonisht duan një ripostim," i shkroi ai Borisit. "V24 është pjesë kaq e madhe e PR-it izraelit, saqë tani të gjithë e dinë çfarë është."

Më 24 nëntor 2023, një anëtar i njërit grup njoftoi se kishte blerë adresa interneti me parulla pro-palestineze. "Bleva disa domene. Nëse dikush do që t'i ridrejtojë te përmbajtje e përshtatshme, më thoni," shkroi anëtari, sipas pamjes së ekranit të publikuar nga Wired.

Mes pesë adresave ishin longlivetheintifada.com, wechargeyouwithgenocide.com dhe palestineisourhome.com. Anëtari shtoi se edhe Allahuakbar.com ishte në shitje, "megjithëse për 75 mijë dollarë".

Tompson u përgjigj brenda grupit: "Oh, kjo ka kaq shumë potencial!"

Wired nuk e emërton anëtarin që bleu adresat.

**Paratë**

Donacionet kaluan një milion dollarë, shumica përmes fondeve që e fshehin emrin e dhuruesit, sipas Wired.

Regjistrat e fondacionit amerikan përmes të cilit financohet llogaria tregojnë 175 mijë dollarë nga fondi konservator DonorsTrust dhe 172 mijë dollarë nga Giving Back Fund në nëntor 2024.

Sipas mesazheve të Tompsonit, 50 mijë dollarë erdhën përmes fondit Ribbit Capital, dhe themeluesi i tij, Micky Malka, planifikonte të jepte edhe 200 mijë. Wired thotë se gjeti regjistra financiarë që përputhen me këto shuma. Malka nuk iu përgjigj pyetjeve të revistës.

Njoftimet e pagesave lidheshin me adresa emaili të drejtuesve të njohur të teknologjisë, mes tyre Neil Blumenthal i Warby Parker, Nir Zohar i Wix, investitori Josh Wolfe i Lux Capital, Matt Ocko dhe Michael Sinensky, sipas përmbledhjes së hetimit nga gazeta Dawn. Sipas saj, donatorët e përmendur nuk pranuan të komentojnë, thanë se nuk kanë regjistra ose nuk e konfirmuan dhurimin.

**Nga Varshava te Musk**

Visegrad24 u themelua në vitin 2020\. Një hetim i tetorit 2025 nga rrjeti i gazetarisë hulumtuese VSquare gjeti se mbi 2,4 milionë zllota para publike polake, rreth 530 mijë euro, shkuan në vitin 2023 te një fondacion ku llogaria figuronte si partnere. Fondacioni u detyrua t'i kthente paratë. Tompson mohon të ketë marrë para nga shteti polak.

Llogaria u bë një nga burimet më të ndjekura të Elon Musk-ut. Një analizë e Wired-it gjeti se, brenda 45 ditësh deri në janar 2025, Musk ndërveproi me Visegrad24 të paktën tri herë më shumë se me secilën nga rreth 30 llogari të tjera të së djathtës ekstreme evropiane të marra në shqyrtim. Wired e quan llogarinë një nga burimet e parapëlqyera të Musk-ut për lajme të rreme.

Gjatë sulmit izraelit ndaj Iranit në vitin 2025, llogaria nxiti rikthimin e Reza Pahlavit në pushtet dhe publikoi postime për ta shtyrë Donald Trumpin të hynte në luftë, sipas Wired.

Dokumentet e publikuara nuk tregojnë që Sandberg, Ackman apo Marcus të kenë dhënë para për Visegrad24, dhe as që ta kenë blerë ata adresat e internetit. Tregojnë se emrat e tyre janë në një grup të mbyllur që bashkërendon mbështetjen për Izraelin, dhe se drejtuesi i një llogarie me histori pretendimesh të rreme thotë se u ftua aty për të ndihmuar Izraelin.

Vlerësimi i E Vërtetës është se historia nuk mbaron te një llogari poloneze. Dokumentet përshkruajnë një rrjet privat ku njerëz me pasuri dhe ndikim të jashtëzakonshëm diskutojnë si të formësohet opinioni publik, larg syve të publikut, dhe ku një përhapës lajmesh të rreme u prit si aleat. Të gjithë në mbrojtje Të Izraelit.

Sandberg, Ackman dhe Marcus nuk kanë komentuar publikisht për hetimin deri në publikimin e këtij artikulli.

*E Vërteta — aty ku e vërteta gjithmonë fiton.*