A injoroi Shqipëria NATO-n? Në të njëjtin muaj kur Tirana zyrtare dhe Elbit nënshkruan marrveshjen, NATO përjashtoi Elbit nga tenderat e saj.

Më 30 korrik 2025, Shqipëria nënshkroi me Izraelin marrëveshjen për armët e Elbit Systems. Të nesërmen, agjencia e prokurimit të NATO-s e pezulloi Elbit nga tenderat e saj. Firma e Jared Kushnerit, sipas CNN, është aksionari më i madh i grupit izraelit që ka 265 milionë dollarë në Elbit.

Share
A injoroi Shqipëria NATO-n? Në të njëjtin muaj kur Tirana zyrtare dhe Elbit nënshkruan marrveshjen, NATO përjashtoi Elbit nga tenderat e saj.
Obusi vetëlëvizës ATMOS 155 mm i Elbit Systems, një nga sistemet e marrëveshjes.

Më 30 korrik 2025, Shqipëria nënshkroi me Izraelin marrëveshjen për obusët, mortajat dhe dronët e Elbit Systems. Në të njëjtin muaj, agjencia e prokurimit të NATO-s e përjashtoi përkohësisht Elbit nga tenderat e saj të rinj, në mes të një hetimi për korrupsion. Firma e Jared Kushnerit, sipas CNN, është aksionari më i madh i grupit izraelit që ka 265 milionë dollarë në Elbit.

30 dhe 31 korrik

Më 30 korrik 2025, në Tiranë, Ministria e Mbrojtjes nënshkroi me Ministrinë e Mbrojtjes së Izraelit një "marrëveshje kuadër… në lidhje me kapacitetet mbrojtëse". Për palën shqiptare e nënshkroi Gjergji Methoxha, drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Politikave të Mbrojtjes. Për palën izraelite e nënshkroi Yair Kulas, drejtor i SIBAT, agjencisë së Ministrisë izraelite të Mbrojtjes për bashkëpunimin dhe eksportet ushtarake.

Furnizuesi, sipas tekstit të marrëveshjes, është "Elbit Systems Land Ltd ose Elbit Systems C4I and Cyber Ltd", dy kompani të grupit Elbit Systems, prodhuesit më të madh të armëve në Izrael.

Të nesërmen, më 31 korrik 2025, sipas gazetës hulumtuese holandeze Follow the Money, Agjencia e NATO-s për Mbështetje dhe Prokurim (NSPA) e pezulloi përkohësisht Elbit nga pjesëmarrja në tenderat e saj të rinj. Sipas gazetës, letra e agjencisë përmendte akuza të rënda për parregullsi në dhënien e kontratave. Pezullimi erdhi në mes të një hetimi në Belgjikë dhe Luksemburg për ryshfete ndaj punonjësve të agjencisë.

Elbit e konfirmon pezullimin në raportin e saj vjetor, të depozituar në mars 2026 në Komisionin amerikan të Letrave me Vlerë. Sipas raportit, NSPA e njoftoi kompaninë dhe dy filiale të saj "në korrik 2025" se ishin nën një hetim të brendshëm dhe se ishin përjashtuar përkohësisht nga tenderat e rinj. Pezullimi u zgjat deri në mars 2026. Elbit shkruan se nuk ka gjetur asnjë parregullsi dhe se puna e saj me NSPA është shumë e kufizuar.

Në dhjetor 2025, Elbit deklaroi se nuk ishte hequr apo pezulluar nga asnjë program i NATO-s, sipas Follow the Money. Raporti i saj vjetor flet për tenderat e rinj, jo për programet ekzistuese.

Pezullimi lidhet vetëm me tenderat që zhvillon vetë agjencia e NATO-s. Ai nuk i ndalon vendet anëtare të blejnë nga Elbit. Sipas qeverisë holandeze, deri në shkurt 2026 nuk kishte asnjë dënim përfundimtar ndaj Elbit.

Pezullimi u bë publik vetëm më 8 dhjetor 2025, kur e zbuluan Follow the Money, gazetat belge Le Soir dhe Knack dhe La Lettre në Francë. Deri atëherë, qeveria shqiptare e kishte miratuar marrëveshjen: më 10 shtator 2025, me vendimin nr. 496 të Këshillit të Ministrave.

Pas dhjetorit, Shqipëria vazhdoi me Elbit. Në maj 2026, Elbit regjistroi degën e saj në Shqipëri, dhe ministri i Mbrojtjes tha se marrëveshja po zbatohet normalisht. Në korrik, Elbit u bë partnere e Shkollës Kombëtare të Fluturimit.

Çfarë po blen Shqipëria

Marrëveshja kuadër mbulon tri sisteme: obusin vetëlëvizës ATMOS 155 mm, mortajat SPEAR 120 mm të montuara në automjete, dhe dronët Thor e Magni-X. Sipas tekstit, dhjetë dronët e parë do t'i dorëzohen Ministrisë së Mbrojtjes si sisteme të plota. Të tjerët do të montohen në Shqipëri.

Dy nene tregojnë sa pak dihet për marrëveshjen. Pagesa për mbështetjen e Ministrisë izraelite "është përfshirë në çmimin e Kontratës", por çmimi nuk shkruhet askund. Neni 5.2 thotë: "Çdo publikim i lidhur me këtë Marrëveshje Kuadër është i ndaluar, përveç nëse Palët bien dakord ndryshe."

Vlera e plotë nuk është bërë publike. Kapitali shkroi në maj 2026, duke cituar burime në Ministrinë e Mbrojtjes, se vlera mund të arrijë deri në 400 milionë dollarë. Ministria nuk e ka konfirmuar këtë shifër.

Sipas Haaretz, që e zbuloi marrëveshjen në nëntor 2025, Elbit do të ndihmojë edhe në ngritjen e një strukture prodhimi në veri të vendit. E Vërteta nuk gjeti asnjë njoftim publik për dorëzimin e obusëve, të mortajave apo të dronëve.

E Vërteta shkroi për këtë marrëveshje, si dhe për hyrjen e kompanive izraelite në sektorë të tjerë strategjikë, në qershor 2026: Marrëveshja sekrete Shqipëri–Izrael: rrezik për sigurinë kombëtare?

Elbit ka hyrë edhe në fusha të tjera. Në maj 2025, kompania shtetërore e armëve KAYO nënshkroi me Elbit një memorandum për rihapjen e Shkollës së Aviacionit në Vlorë. Më 3 korrik 2026 u hap Shkolla Kombëtare e Fluturimit. Kryeministri Edi Rama falënderoi Elbit Systems si partner të projektit. Ai tha se hapi i radhës do të jetë një Shkollë Kombëtare e Forcave Speciale, sërish me Elbit, me trajnerë nga Izraeli.

Për KAYO-n dhe partneritetet e saj private, lexoni Dosja KAYO, nga Dakari në Tiranë.

Ministër i Mbrojtjes kur u nënshkrua marrëveshja ishte Pirro Vengu. Sot ministria drejtohet nga Ermal Nufi.

Çfarë dinte Tirana

A dinte qeveria për pezullimin kur e miratoi marrëveshjen? Askush në Tiranë nuk e ka thënë publikisht.

Qeveria holandeze i tha parlamentit të saj, më 9 shkurt 2026, se Ministria holandeze e Mbrojtjes kishte marrë dijeni për hetimin e NSPA në mes të qershorit 2025. Sipas përgjigjes, agjencia i informoi zyrtarisht aleatët në korrik 2025 për përjashtimin e përkohshëm të disa kompanive nga tenderat. Përgjigjja nuk thotë cilët aleatë u njoftuan. Shqipëria është anëtare e NATO-s që nga viti 2009. Nuk dihet nëse Tirana e mori këtë njoftim, as kur.

Më 15 maj 2026, ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi u pyet në një intervistë televizive nëse NATO kishte kërkuar pezullimin e marrëveshjes. "Nuk kemi asnjë shkresë apo kërkesë nga NATO për ta pezulluar në Shqipëri," tha ai, sipas Vox News. Ai shtoi se marrëveshja po zbatohet normalisht.

E Vërteta konkludon: NATO nuk u kërkon vendeve anëtare të pezullojnë blerjet e tyre kombëtare. Ajo i përjashton furnizuesit nga tenderat e veta dhe, sipas qeverisë holandeze, i njoftoi aleatët për këtë në korrik 2025. Ministri iu përgjigj një pyetjeje që nuk ishte ajo thelbësorja. Pyetja thelbësore mbetet pa përgjigje: a e dinte qeveria për pezullimin para se ta miratonte marrëveshjen më 10 shtator 2025, dhe a e rivlerësoi atë pasi pezullimi u bë publik?

Zinxhiri i Kushnerit

Më 1 tetor 2026, CNN raportoi se Affinity Partners, firma e investimeve e Jared Kushnerit, është aksionari më i madh i Phoenix Financial, grupit më të madh izraelit të sigurimeve dhe financave. Sipas CNN, Phoenix ka të paktën 456 milionë dollarë në nëntë kompani që furnizojnë ushtrinë izraelite. Investimi më i madh është në Elbit Systems: 265,1 milionë dollarë.

Pjesëmarrja e Affinity në Phoenix është dokumentuar nga shtypi financiar izraelit. Sipas Globes, Affinity bleu 4,95 për qind të Phoenix në korrik 2024 dhe arriti në 9,9 për qind në janar 2025, duke u bërë aksionari më i madh. Më 28 korrik 2026 shiti 2,5 për qind dhe mbajti 7,4 për qind, me vlerë rreth 3,3 miliardë shekelë. Kur rregullatori izraelit miratoi rritjen e pjesës, ia kufizoi Affinity të drejtat e votës në 5 për qind, sipas Calcalist.

Lidhja e Kushnerit me Elbit është e tërthortë. Affinity zotëron një pjesë të Phoenix, dhe Phoenix zotëron aksione në Elbit. Sipas Ynet, CNN analizoi vetëm një pjesë të vogël të zotërimeve të Phoenix, dhe dy kontabilistë izraelitë konfirmuan se dokumentet i pasqyronin ato. Phoenix administron edhe fonde pensionesh dhe sigurimesh të klientëve. Nuk është sqaruar nëse aksionet në Elbit janë paratë e vetë Phoenix apo kursimet e klientëve.

Sipas Ynet, avokati i Kushnerit tha se ai nuk ka marrë pjesë dhe nuk ka drejtuar kurrë vendimet e Phoenix. Avokati tha se Kushneri nuk ka pasur asnjë rol në blerjen, mbajtjen apo shitjen e aksioneve në nëntë kompanitë dhe se nuk ka qenë kurrë në bordin e Phoenix. Ai pranoi se Kushneri fliste rregullisht me drejtimin e Phoenix për kompaninë dhe për mundësitë strategjike.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Anna Kelly, tha se aktiviteti privat i Kushnerit nuk ka lidhje me angazhimet e tij diplomatike, të cilat ai i kryen si vullnetar. Ajo e quajti debatin "një narrativë të lodhur" të demokratëve.

Kushneri është anëtar i Këshillit Ekzekutiv Themelues të Bordit të Paqes, organit të krijuar për të mbikëqyrur tranzicionin në Gaza.

Toka në Zvërnec dhe Bordi i Paqes

Affinity Partners ka edhe një interes të drejtpërdrejtë në Shqipëri. Në mars 2024, Kushneri njoftoi planet për ishullin e Sazanit dhe për Zvërnecin, në Vlorë. Projekti zhvillohet bashkë me investitorë nga Katari dhe solli protesta masive në verën e vitit 2026.

Më 24 korrik 2026, SPAK deklaroi se "nuk ka asnjë hetim të hapur në lidhje me ndonjë projekt të lidhur me z. Jared Kushner". Hetimi i saj ka të bëjë me vendimet e marra që nga viti 2024 për statusin e mbrojtjes së tokës dhe për statusin e investitorit strategjik. Më 30 shtator, Rama tha se fati i projektit do të vendoset nga vlerësimi mjedisor, jo nga protestat.

Për strukturën e pronësisë së projektit, lexoni Zvërneci dhe miliardat pa emër në bregun e tij. Për hetimin e Kongresit amerikan ndaj Kushnerit, lexoni shkrimin tonë të korrikut. Më 24 gusht 2026, demokrati Jamie Raskin, më i larti i pakicës në Komisionin e Drejtësisë të Dhomës së Përfaqësuesve, i kërkoi Kushnerit me shkrim komunikimet e tij me përfaqësues të qeverisë shqiptare. E Vërteta nuk gjeti asnjë përgjigje publike.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së e miratoi Bordin e Paqes më 17 nëntor 2025, me rezolutën 2803. Në janar 2026, presidenti Donald Trump emëroi Kushnerin në Këshillin Ekzekutiv Themelues të Bordit, bashkë me Marco Rubion, Steve Witkoffin dhe Tony Blairin.

Shqipëria u bë anëtare themeluese. Më 22 janar 2026, Kuvendi miratoi me 110 vota ligjin nr. 1/2026 për ratifikimin e marrëveshjes së pranimit në Kartën e Bordit, ku Shqipëria përfaqësohet nga kryeministri Edi Rama. Karta përjashton nga mandati trevjeçar shtetet që kontribuojnë mbi një miliard dollarë në vitin e parë. E Vërteta nuk gjeti asnjë dokument që tregon se Shqipëria ka paguar.

Më 19 shkurt 2026, në mbledhjen e parë të Bordit, Rama konfirmoi se Shqipëria do të marrë pjesë me trupa në forcën ndërkombëtare të stabilizimit në Gaza.

Java 22–27 janar 2026

Brenda pak ditësh:

  • Më 22 janar, Kuvendi miratoi anëtarësimin në Bordin e Paqes, ku Kushneri është anëtar i Këshillit Ekzekutiv Themelues.
  • Më 25 janar, Rama fluturoi për në Izrael me një avion privat Bombardier Global 5000, që dikur i përkiste FTX-it të Sam Bankman-Friedit, sipas BIRN. Rama tha se "shpenzimet nuk janë mbuluar nga qeveria shqiptare". Kush i pagoi, nuk është bërë publike.
  • Më 26 janar, Rama u takua me Benjamin Netanyahun dhe foli në Knesset.

Asnjë dokument i publikuar nuk tregon lidhje mes këtyre ngjarjeve. Asnjë dokument nuk tregon se Kushneri ose Affinity Partners kanë luajtur ndonjë rol në marrëveshjen e Shqipërisë me Elbit.

Kronologjia

Armët: marrëveshja me Elbit. Kushner: interesat e Kushnerit dhe të Affinity. Bordi: Bordi i Paqes.

2024

  • Shkurt: Kuvendi ndryshon ligjin për zonat e mbrojtura, duke lejuar hotele luksi në disa zona (AFP). Kushner
  • Mars: Kushneri njofton planet për Sazanin dhe Zvërnecin (AFP). Kushner
  • Korrik: Affinity blen 4,95 për qind të Phoenix (Globes). Kushner
  • Dhjetor: qeveria i jep statusin e investitorit strategjik një kompanie të lidhur me Kushnerin (AFP). Kushner

2025

  • 15 janar: Affinity arrin 9,9 për qind dhe bëhet aksionari më i madh i Phoenix (Globes). Kushner
  • 8 maj: KAYO dhe Elbit nënshkruajnë memorandumin për shkollën e aviacionit në Vlorë (Ministria e Mbrojtjes). Armët
  • 30 korrik: Shqipëria dhe Izraeli nënshkruajnë marrëveshjen kuadër për sistemet e Elbit (vendimi nr. 496). Armët
  • 31 korrik: NSPA e pezullon përkohësisht Elbit nga tenderat e saj të rinj (Follow the Money). Armët
  • 10 shtator: qeveria miraton marrëveshjen (vendimi nr. 496). Armët
  • 12 nëntor: Haaretz zbulon marrëveshjen. Armët
  • 17 nëntor: Këshilli i Sigurimit i OKB-së miraton Bordin e Paqes (rezoluta 2803). Bordi
  • 8 dhjetor: pezullimi i Elbit bëhet publik (Follow the Money, Le Soir, Knack). Armët
  • 16 dhjetor: Affinity tërhiqet nga projekti në Beograd (European Western Balkans). Kushner

2026

  • 16 janar: Kushneri emërohet në Këshillin Ekzekutiv Themelues të Bordit (Al Jazeera). Bordi
  • 22 janar: Kuvendi miraton anëtarësimin me 110 vota (ligji nr. 1/2026). Bordi
  • 25–27 janar: Rama në Izrael; takim me Netanyahun më 26 janar (Kryeministria). Armët
  • 9 shkurt: qeveria holandeze konfirmon se NSPA i njoftoi aleatët në korrik 2025. Armët
  • 19 shkurt: Rama konfirmon trupa shqiptare për Gazën. Bordi
  • Maj: Elbit regjistron degën në Shqipëri (Kapitali). Armët
  • 15 maj: ministri Nufi: "Nuk kemi asnjë shkresë apo kërkesë nga NATO" (Vox News). Armët
  • 30 maj: nisin protestat në Zvërnec (AFP). Kushner
  • 3 korrik: hapet Shkolla Kombëtare e Fluturimit me Elbit (Kryeministria). Armët
  • 24 korrik: SPAK: asnjë hetim i hapur për ndonjë projekt të lidhur me Kushnerin. Kushner
  • 28 korrik: Affinity shet 2,5 për qind dhe mban 7,4 për qind të Phoenix (Globes). Kushner
  • 30 shtator: Rama: fati i Zvërnecit varet nga vlerësimi mjedisor (Euronews). Kushner
  • 1 tetor: CNN publikon zinxhirin Affinity–Phoenix–Elbit. Kushner, Armët

E Vërteta — aty ku e vërteta gjithmonë fiton.