Muzeu Hebre që po përdoret për të mbuluar marrveshjet e errëta të qeverisë Rama

Në Vlorë po ngrihet një muze për dy herët kur Shqipëria strehoi hebrenjtë që ikën. Në të njëjtët vite, në të njëjtin qytet dhe në të njëjtin bregdet, qeveria ka dhënë një ishull, një fabrikë armësh dhe licencën e parë bankare dixhitale.

Share
Muzeu Hebre që po përdoret për të mbuluar marrveshjet e errëta të qeverisë Rama
Themelet e godines se Muzeumit Hebre në Vlorë. Foto marrë nga Elis Baba.

Në Vlorë po ngrihet një muze për dy herët kur Shqipëria strehoi hebrenjtë që ikën. Në të njëjtën kohe, në të njëjtin qytet dhe në të njëjtin bregdet, qeveria ka dhënë hebrenjve një ishull, një fabrikë armësh dhe licencën e parë bankare dixhitale. Kur pyetet për to, Rama fshihet pas muzeut.

Edi Rama e quan vendin lagjen e dikurshme hebraike, afër sheshit kryesor të Vlorës. Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim ka angazhuar 6,5 milionë dollarë. Projektin e fitoi në vitin 2021 firma izraelite Kimmel-Eshkolot. Punimet nisën në shkurt 2025 me afat tetëmbëdhjetë muaj. Në gusht 2026 afati kishte kaluar dhe godina ende nuk kishte çati.

Në janar 2025 kryeministri solli aty rabinin Yosiyahu Pinto dhe tha se një linjë e drejtpërdrejtë me Izraelin do ta kthente muzeun në destinacion. Kritikën ndaj projektit e quajti perverse. Kur deputetë të opozitës shkuan te kantieri, i quajti «hajdutë dhensh». Juristi Erajd Koçeku iu përgjigj publikisht me një fjali që e përmbledh debatin: kritika ndaj Muzeut Hebraik nuk të bën antisemit, dhe kërkon transparencë.

Muzeu është për një histori të vërtetë. Ia vlen të tregohet e plotë, sepse pjesa e parë e saj njihet pak.

Historia: Hera e parë

Osmanët e morën Vlorën në vitin 1417. Ishte limani i parë që mbajtën në Adriatik dhe e trajtuan si të tillë: ngritën një kantier detar dhe një doganë. Pastaj në lojë hyri Spanja dhe Portugalia. Spanja i dëboi Hebrenjtë në 1492, Portugalia në 1496, dhe Perandoria Osmane i hapi dyert për ta. Vlora u bë stacion në një rrugë që vazhdonte për në Selanik, Edirne dhe Stamboll. Kjo hollësi shpesh humbet: Vlora nuk ishte vendi ku njerëzit mbërrinin për të mbetur. Ishte një ndalesë në një ikje të gjatë.

Asokohe Perandoria i numëronte banorët për tatim, dhe njësia ishte ekonomia familjare, jo njeriu. Bazuar në regjistrat e kohës ne e dimë pak a shumë këtë emigrim. Numrat e mëposhtëm janë marrë pikërisht nga këto regjistra. Çdo shifër që vijon është shtëpi dhe jo individ.

Regjistri i vitit 1506, Tapu Defter 34, gjen në Vlorë 97 ekonomi hebraike përballë 665 johebraike. Afërsisht një shtëpi në tetë. Katërmbëdhjetë vjet më vonë kolonia kishte shpërthyer. Regjistri i vitit 1520, Tapu Defter 99, jep 531 ekonomi hebraike. Machiel Kiel e lexon numrin e të tjerëve herë 701, herë 803. Në të dyja leximet hebrenjtë janë afër dy në pesë banorë të qytetit. Kjo është maja, dhe erdhi brenda një brezi.

Pastaj vjen perspektiva që e zhvendos gjithçka. Në vitin 1530 kazaja e Vlorës hyn me 528 ekonomi hebraike, dhe tri kazatë e tjera të livasë shtojnë 553 të tjera. Përballë 41.126 ekonomive johebraike të krahinës, kjo bie në rreth një në njëqind. Pra popullsia hebreje ishte e koncentruar brenda mureve dhe ishte pothuajse inekzistente në vilajet.

Regjistri i vitit 1583, i ruajtur në Ankara si Kuyûd-ı Kadîme 62, tregon fundin. Kiel lexon 211 ekonomi hebraike dhe 658 johebraike.

Vini re dy numra: 665 në vitin 1506, 658 në vitin 1583. Popullsia johebraike e Vlorës, pas shtatëdhjetë e shtatë vjetësh, qëndronte brenda shtatë shtëpive nga ku kishte qenë. Ndërkohë kolonia hebraike ishte pesëfishuar dhe pastaj kishte rënë në pak më shumë se një të pestën e majës. Qyteti nuk u zbraz nga vlonjatët. Ishin hebrenjtë ata që e braktisën.

Burimet nuk janë të sigurta për arsyen përse dhe nuk pretendojnë të jenë. Kiel e lidh rënien, si të mundshme dhe jo si të provuar, me pasigurinë detare pas Lepantit më 1571. Ferit Duka vendos në të njëjtën gjysmëshekulli murtajën e vitit 1557, emigrimin e herëpashershëm, luftërat me fuqitë perëndimore dhe rënien e Vlorës si qendër sanxhaku. Asnjëri nuk e emërton Selanikun si vendmbërritje — dhe kjo ka kuptim, sepse Selaniku ishte në rrugën nga kishin ardhur.

Venediku e goditi qytetin më 1638 dhe e mori më 1690; osmanët u kthyen më 1699. Por rënia nga 531 në 211 ishte shkruar në regjistër që më 1583. Enciklopedia e Hebrenjve në Botën Islame shënon se pushtimi i fundshekullit XVII shpërnguli shumë prej tyre drejt Beratit, Janinës, Manastirit dhe Kastorisë.

Në regjistrimin e vitit 1930, në mbarë vendin kishin mbetur vetëm 204 shtëpi hebreje.

Hera e dytë

Në vitin 1938 Shtetet e Bashkuara mbyllën kuotën. Shqipëria mbeti ndër të paktat shtete europiane që ende lëshonin viza, edhe përmes legatës së vet në Berlin. Yad Vashem llogarit se deri në prag të luftës kishin mbërritur nga 600 deri në 1.800 refugjatë. Më 7 prill 1939 Italia pushtoi vendin, rrugët u mbyllën, dhe tranziti u bë qëndrim.

Në shtator 1943 vendi kaloi te Gjermania, dhe gjermanët kërkuan lista.

Listat nuk u dorëzuan. Familjet i fshehën nën besë, u dhanë emra shqiptarë dhe letra shqiptare. Lime Balla, një nga të shpëtuarat që Yad Vashem ka regjistruar, tregoi se mikpritësit ishin aq të varfër sa nuk kishin as tryezë, dhe nuk i lanë të paguanin as bukën.

Brenda kufijve të vjetër shpëtoi pothuajse çdo hebre, vendës a refugjat, me përjashtim të një familjeje. Shqipëria qe i vetmi vend i pushtuar në Europë ku në fund të luftës kishte më shumë hebrenj se në fillim. Shtatëdhjetë e pesë shqiptarë njihen si të Drejtë të Kombeve. Në vitin 1991 pothuajse tërë bashkësia hebreje shkoi në Izrael. Sot në Shqipëri jetojnë rreth dyzet deri në pesëdhjetë hebrenj.

Çfarë kishin të përbashkët dy herët

Në të dyja herët njerëzit po iknin. Të dyja herët nuk kishin ç’të ofronin. Dhe të dyja herët ata që i strehuan ishin njerëz të zakonshëm që vendosnin për shtëpinë e vet — një tregtar i Vlorës në shekullin XVI, një familje fshati në vitin 1943 që nuk pranoi para as për bukën.

Kjo është ajo që nderon muzeu, dhe është e merituar. Por ky muze duhet të jetë në Izrael, jo në Shqipëri. Ishin shqiptarët ata që shpëtuan hebrenjtë, jo anasjelltas.

Ajo që po ndodh tani në Shqipëri nuk është hera e tretë e së njëjtës gjë. Askush nuk po ikën. Askush nuk kërkon strehë. Askush nuk po hap derën e shtëpisë së vet. Këtë radhë vepron shteti, dhe shteti nuk po strehon — po shet. Dhe ata që blejnë nuk kanë të përbashkët një fe. Kanë të përbashkëta kontratat, dhe pyetjet pa përgjigje.

Fabrika

Më 24 shtator 2024 qeveria themeloi KAYO-n, me aksionar të vetëm Ministrinë e Mbrojtjes dhe kapital 300 milionë lekë.

Më 11 qershor 2025 qeveria miratoi kushtet e negocimit për një ortakëri me një privat. Vendimi, siç është botuar, kërkonte që KAYO të mbante jo më pak se 45 për qind të shoqërisë së përbashkët.

Gjashtë ditë më vonë, më 17 qershor, Arjeta Puca i shiti Ron Yeffetit 49 për qind të TIMAK-ut për 49.000 lekë — saktësisht vlera nominale e asaj pjese të kapitalit prej 100.000 lekësh. Fitimi i TIMAK-ut para tatimit për vitin 2024 ishte 135.804.182 lekë.

Më 4 gusht 2025 u regjistrua TIMAK Defence. KAYO mbante 20 për qind, jo 45. Drejtuesi i vetë KAYO-s, Ardi Veliu, e pranoi rënien publikisht më 11 shtator 2026, duke e shpjeguar me një plan biznesi të rishikuar. Asnjë vendim që ta autorizojë atë rënie nuk është bërë publik. Kjo është pyetja më e thjeshtë dhe më e pakthyeshme e gjithë çështjes: cili akt e ktheu 45-shin në 20.

Shifrat e vitit 2025 nuk ndihmojnë. KAYO raportoi xhiro 300.000 lekë — rreth tre mijë euro — përballë një humbjeje prej rreth 94,3 milionë lekësh. TIMAK Defence raportoi humbje para tatimit 11.850.550 lekë.

Më 17 shtator 2026, sipas BIRN, deputeti Gazmend Bardhi pretendoi në Kuvend se Yeffet ishte «i vetmi fitues» i rreth 34 milionë eurove përmes KAYO-s. Po atë ditë shumica refuzoi ngritjen e një komisioni hetimor.

Më 2 tetor 2026 Byroja Kombëtare e Hetimit kontrolloi banesën e Yeffetit dhe ambiente të Ministrisë së Mbrojtjes, duke sekuestruar dokumente, kontrata dhe telefona. Deri më sot nuk ka asnjë akuzë, asnjë arrestim dhe asnjë person të shpallur zyrtarisht nën hetim. Kushdo gëzon prezumimin e pafajësisë.

Dy saktësime që i detyrohemi së vërtetës. Të tria veprimet me TIMAK-un ndodhën midis qershorit dhe gushtit 2025 — gjashtë deri në tetë muaj para se Ermal Nufi të bëhej ministër i Mbrojtjes më 26 shkurt 2026. Dhe Ron Yeffeti, të cilin mediat e quajnë njëzëri biznesmen izraelit, figuron në regjistrin shqiptar të pronarëve përfitues si shtetas shqiptar, i lindur më 1966.

Banka

Në dhjetor 2025 Banka e Shqipërisë i dha miratim paraprak JET Bank, bankës së parë tërësisht dixhitale në vend, dhe në mars 2026 licencën e plotë.

Pronare është Jet Holding, e regjistruar në Holandë me 50.000 euro kapital të paguar. Aksionari kontrollues, me 71,5 për qind, është Constador e Qipros, aksionari i vetëm i së cilës, sipas regjistrit qipriot të cituar nga Monitor, është Idan Avishai.

Pjesa tjetër ndahet mes pesë kompanive izraelite, secila nën vijën ku ligji shqiptar e detyron pronarin përfitues të dalë në dritë: Israel Albania Holding 12,4 për qind, Yebogogo 4,9, Nathan Lawrence 4,9, Don Albania Holdings 3,7, Ori Eyal 2,6. Katër nga pesë janë nën pesë përqindëshin.

Në vitin 2018 Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare kishte emëruar platformën e lidhur Fortrade, atëherë FX Lider, si veprimtari pa licencë në Shqipëri.

Deputeti Belind Këlliçi e ka pyetur bankën qendrore nga erdhi kapitali, çfarë u kontrollua, dhe pse një drejtues i mbikëqyrjes dha dorëheqjen pa e firmosur miratimin. Përgjigje ka pasur. Mbyllje, jo.

Bregu

Në verën e vitit 2021, në jahtin e Nathaniel Rothschild, Ivanka Trump, Jared Kushner dhe Edi Rama panë Sazanin dhe lagunat e Vjosës e të Nartës. Projekti i shpallur është një resort prej 1,4 miliardë dollarësh në ishull dhe ndërtime përgjatë lagunës; Rama i ka vënë në 4 deri në 5 miliardë euro. Atlantic Incubation Partners, e lidhur me fondin Affinity të Kushnerit, u emërua investitor strategjik. Ligji i zonave të mbrojtura u rishkrua në të njëjtat vite kur aeroporti i Vlorës ngrihej ngjitur me lagunën.

Më 23 maj 2026 protesta nisi në Zvërnec. Më 30 maj siguria private u ra aktivistëve. Brenda ditësh dhjetëra mijëra vetë dolën në Tiranë. Prokuroria e Posaçme sekuestroi asete mbi 128 milionë euro.

Kur pyetet, qeveria ndërron temën

Rama tha se zhurma ishte për emrin, jo për projektin.

Pastaj ndërroi temë përfundimisht. Në qershor 2026, nga samiti FII Priority në Romë, deklaroi se Shqipëria «ka vetëm një armik, Republikën Islamike të Iranit», dhe i lidhi protestat me një fushatë kibernetike trevjeçare dhe me narrativa antisemite të ushqyera nga jashtë. Provat që ofroi ishin vëllimi i postimeve nga jashtë dhe disa video të rreme. Të njëjtën gjë ia përsëriti Financial Times. Sipas Forbes, në mesin e qershorit i quajti protestuesit nazistë. Teherani e mohon.

Organizatorët e protestës e kundërshtojnë përshkrimin dhe e quajnë gjueti shtrigash.

Kështu mbyllet rrethi. Një qeveri që ndërton një muze i cili duhej te ishte ndërtuar në Izrael për dy herët kur shqiptarët e zakonshëm nuk dorëzuan lista, dhe që, kur pyetet për kontratat që ka nënshkruar në të njëjtin qytet, i përgjigjet vendit të vet duke folur për Iranin, për antisemitizmin dhe për nazistë.

Hebrenjtë e Vlorës së shekullit XVI erdhën sepse Spanja i kishte flakur, dhe regjistrat i tregojnë të larguar nga Vlora brenda tre brezash. Hebrenjtë e vitit 1939 erdhën sepse Gjermania i kërkonte, dhe u strehuan nga familje që nuk kishin as tryezë. Asnjëri prej tyre nuk kërkoi një licencë. Asnjë muze i kësaj shkalle për shqiptarët nuk gjendet në Izrael.

Muzeu nuk mund të nderojë hebrenjtë sepse ata nuk bënë asgje për shqiptarët. Muzeu duhet të nderojë shqiptarët.

E Vërteta — aty ku e vërteta gjithmonë fiton.